Lirohet nga arresti i shtëpisë kryetari i bashkisë së Tropojës

Shares

Gjykata e Posaçme liroi sot nga arresti shtëpiak kryetarin dhe nënkryetarin e Bashkisë Tropojë

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur sot të zëvendësojë masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për kryetarin e Bashkisë Tropojë, Rexh Byberi, dhe nënkryetarin Abedin Kërrnaja, duke caktuar në vend të saj detyrimin për t’u paraqitur një herë në muaj pranë organeve kompetente.

Të dy zyrtarët akuzohen nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për shpërdorim detyre dhe prerje të paligjshme të pyjeve, në kuadër të një procedimi penal për ndërtimin e një rruge në zonën “Stacioni i Anijes Palç – Guri i Lules”, me gjatësi 3.2 kilometra. Sipas SPAK, projekt-ideja për ndërtimin e kësaj rruge është miratuar në kundërshtim me ligjin, pasi 80% e trasesë kalonte përmes një rruge këmbësore ekzistuese, ndërkohë që vetë ndërtimi konsiderohej si ndërtim i ri.

Hetimet kanë zbuluar se ndërtimi është kryer pa ndjekur procedurat ligjore të parashikuara në VKM nr. 408, datë 13.05.2015, e cila kërkon aplikim në sistemin elektronik e-leje, bashkë me plotësimin e dokumentacionit teknik dhe ligjor përkatës. Në vendimin gjyqësor theksohet se Bashkia Tropojë nuk ka ndjekur detyrimet për të bashkëpunuar me institucionet përkatëse si Agjencia Kombëtare e Mjedisit, për hartimin e raportit të ndikimit në mjedis, apo me ministrinë përkatëse të linjës për vlerësimin e impaktit të punimeve. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...