U përmbyll sot faza përfundimtare e operacionit ndërkombëtar “PANDORA”, në luftën kundër mashtrimeve kompjuterike online nga Tirana ndaj shtetasve europianë.
U ekzekutuan masat e sigurimit personal, për 6 autorët e dyshuar të përfshirë në krimet e “Mashtrimit kompjuterik”, nëpërmjet qendrave të thirrjeve (Call Center) në Shqipëri, ndërsa 2 u shpallën në kërkim ndërkombëtar.
“Hetimi ka filluar në dhjetor 2023, pasi policia gjermane dhe më pas Prokuroria e Përgjithshme në Karlsruhe, Gjermani, ka regjistruar procedimin penal, nën dyshimin për mashtrim në fushën e krimit kibernetik në formë të organizuar. Nga hetimet e autoriteteve gjermane ka rezultuar se grupi i personave të dyshuar, vepronin me mënyrën e veprimit (“Modus Operandi”)
Oficerë policie të rremë;
Premtime të përfitimit;
Kompani për mbledhjen e borxheve;
Mashtrimi me karta me pagesë;
Mashtrimi bankar në internet;
Mashtrimi me investime;
Mashtrimi i rikuperimit.
Në kuadër të këtij operacioni ndërkombëtar, në datë 18 Prill 2024 është ushtruar kontrolli i ambjenteve të Call Center-it të paligjshëm edhe në Shqipëri, ku u gjetën dhe u sekuestruan prova materiale të shumta dixhitale dhe dokumentare. Në kushtet kur bëhej fjalë për dy hetime paralele, në Shqipëri dhe në Gjermani, rezultatet dhe provat materiale dixhitale të kontrolleve, u dërguan për analizë më të thelluar pranë autoriteteve gjyqësore gjermane. Në përgjigje, në sajë të bashkëpunimit gjyqësor ndëkombëtar, nga autoritetet gjyqësore gjermane u dërgua analiza e plotë hetimore e provave materiale dixhitale, të cilat në harmoni dhe me provat materiale dokumentare të sekuestruara, ditën e kontrollit, çuan në rezultatin e qartë të ekzistencës së një grupi të strukturuar kriminal, me qëllim mashtrimin e shtetasve gjermanë, nëpërmjet qendrës së thirrjeve Call Center, të paregjistruar si biznes në organet tatimore.
Mbi këto të dhëna, është krijuar dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova për përfshirjen në këtë aktivitet kriminal, në fushën e mashtrimit kompjuterik, të kryer në dëm të disa personave në bashkëpunim me njëri tjetrin, në formën e vecantë të grupit të strukturuar kriminal, të tetë shtetasve.
Me vendimin nr.73 datë 28.07.2025 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” për pesë persona dhe tre masa të sigurimit personal “Arrest në shtëpi” për tre persona, si më poshtë:
Masat e sigurimit personal “Arrest në Burg”, janë dhënë për shtetasit:
“E.S.”, “T.D.”, “S.K.”, “E.L.”, “R.G.”, të dyshuar për veprat penale të “Mashtrim kompjuterik”, në bashkëpunim, në dëm të disa personave, në formën e grupit të strukturuar kriminal, Pjesëmarrjes në grup të struktuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b/2, 28/4, 333/a/1 dhe 334 të Kodit Penal.
Masat e sigurimit personal “arrest në shtëpi”, për shtetasit: “L.Ç.”, të dyshuar për veprat penale të “Mashtrim kompjuterik”, në bashkëpunim, në dëm të disa personave, në formën e grupit të strukturuar kriminal, Pjesëmarrjes në grup të struktuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b/2, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal.
“M.LI.”, “K.N.” të dyshuar për veprat penale të “Mashtrim kompjuterik”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrjes në grup të struktuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal Gjatë mëngjesit të sotëm është bërë e mundur ekzekutimi i masave të sigurimit personal për të dyshuarit “E.S.”, “T.D.”, “R.G.”, “L.Ç.”, “M.LI.”, “K.N.” që gjenden në territorin e Republikës së Shqipërisë. Për të dyshuarit “S.K.”, “E.L.”, vijon puna në bashkëpunim me autoritetet partnere europiane, për kapjen dhe ekstradimin e tyre në Shqipëri.
Vlera e dëmit të shkaktuar e dokumentuar deri në këtë fazë të hetimit për një periudhë disa mujore të aktivitetit Call Center, është 363 501 Euro, për 14 viktima të mashtrimit në Gjermani”, njoftoi sot SPAK i cili edhe drejtoi operacionin në Shqipëri. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












