Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, deklaroi se krimi zgjedhor ka qenë prioritet absolut i SPAK gjatë gjithë procesit zgjedhor të fundit. Gjatë një takimi me gazetarët, ai bëri të ditur se angazhimi i strukturës së posaçme nisi që në muajin mars dhe vijoi deri në përfundimin e procesit, duke ndjekur një strategji të qartë parandalimi.
“SPAK ka qenë i përfshirë që në mars, përmes një strategjie që synonte parandalimin e krimeve zgjedhore. Strategjia funksionoi dhe dha rezultate konkrete. Pritëm që KQZ të shpërndante mandatet për ta konsideruar zyrtarisht të përfunduar procesin,” u shpreh Dumani, duke shtuar se informacioni mbi hetimet është ndarë në kohë me publikun.
Ai nënvizoi se bashkëpunimi me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Prokurorinë e Përgjithshme ka qenë efektiv, dhe se në total janë administruar 193 materiale, prej të cilave 80 janë kallëzime nga qytetarë, 10 të nisura kryesisht nga vetë organi i akuzës dhe 43 janë regjistruar si procedime penale.
Nga këto të fundit, një çështje është dërguar në gjykim, një është pezulluar dhe një tjetër i është kaluar një prokurorie tjetër për kompetencë. Po ashtu, janë kryer dy arrestime në flagrancë dhe janë lëshuar 16 urdhra gjykate për kontrolle.
“Provat për disa çështje janë siguruar dhe hetimet janë në vijim. Rezultatet janë të kënaqshme dhe përforcojnë angazhimin tonë për të ndëshkuar çdo shkelje të ligjit në procesin zgjedhor,” tha Dumani.
Ai bëri të ditur gjithashtu se prokurorët kanë prioritet hetimin e krimeve zgjedhore, dhe se nga 43 rastet e regjistruara, në 43 të tjera është vendosur mosfillim hetimi për mungesë të elementëve të veprës penale, kryesisht të iniciuara nga partitë politike. Vetëm tre prej këtyre vendimeve janë ankimuar, por gjykata i ka lënë në fuqi vendimet e SPAK.
Kreu i SPAK u shpreh edhe për draftin e kodit të ri penal. “Për debatin e kodit te ri penal, ka nje rendesi jetike per shtetin ligjor, priten diskutime eshte normale, debati pare duhet te ishte bere a ishte i nevojshem kodi i ri apo te punohej mbi kodin aktual. Unë vet besoj qe ka nevoje per ndryshime, per shembull neni per narkotiket, te ndahet sipas sasise dhe llojit te droges”, tha Dumani. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












