Një tërmet shkatërrues me magnitudë 8.8 ballë të shkallës Rihter goditi mëngjesin e së mërkurës Gadishullin Kamchatka në lindjen e largët të Rusisë, duke shkaktuar një seri paralajmërimesh për cunami në disa vende të rrezikuara në Oqeanin Paqësor.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA (USGS), tërmeti ndodhi rreth orës 11:25 me orën lokale dhe kishte epiqendrën rreth 136 kilometra në lindje të qytetit Petropavlovsk-Kamchatsky, në një thellësi prej 19 kilometrash nënujor. Lëkundjet janë ndjerë gjerësisht në gjithë rajonin, duke shkaktuar panik mes banorëve.
Autoritetet ruse kanë konfirmuar disa të plagosur si pasojë e rënies së objekteve dhe dëmtimeve strukturore. Agjencia shtetërore e lajmeve TASS njoftoi gjithashtu për dëme të konsiderueshme në infrastrukturë dhe ndërprerje të energjisë në disa zona të Kamchatkës.
Valë cunami deri në 3 deri në 4 metra janë regjistruar në vijën bregdetare të Kamchatkës, ndërsa në Hokkaido të Japonisë, një valë cunami prej 30 cm ka arritur në brigjet e qytetit Kushiro. Agjencia Meteorologjike Japoneze (JMA) ka lëshuar një paralajmërim zyrtar për cunami dhe ka aktivizuar protokollet e evakuimit në disa rajone bregdetare.
Guvernatori i Havait, Josh Green, u ka bërë thirrje banorëve që të ndjekin me kujdes urdhrat e evakuimit dhe të ruajnë qetësinë. Paralajmërime për cunami janë dhënë edhe për pjesë të Bregut Perëndimor të Shteteve të Bashkuara, përfshirë Alaskën, Oregonin dhe Kaliforninë.
Presidenti amerikan Donald Trump, përmes një deklarate në rrjetet sociale, u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë vigjilentë dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.
Alarmet për cunami janë zgjeruar edhe më tej, duke përfshirë Kinën Lindore, Filipinet, Indonezinë, Guamin, Perunë dhe ishujt Galapagos pranë Ekuadorit. Në disa prej këtyre vendeve janë ndërmarrë masa parandaluese për zhvendosjen e banorëve të zonave të rrezikuara drejt vendeve më të sigurta.
Qendrat sizmologjike në Rusi dhe Japoninë kanë paralajmëruar për pasgoditje të forta që mund të pasojnë në orët dhe ditët në vijim, duke e mbajtur situatën nën vëzhgim të vazhdueshëm. Autoritetet ndërkombëtare të menaxhimit të emergjencave janë në koordinim për të përballuar pasojat e mundshme të kësaj fatkeqësie natyrore.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












