Gruaja në Tropojë prej 4 ditësh e zhdukur, vihet në pranga i shoqi me 2 automatikë

Shares

Vihet në pranga 58-vjeçari në Tropojë që ushtonte dhunë sistematike ndaj bashkëshortes.

Bashkëshortja është larguar nga banesa më 22 korrik dhe vijon të jetë në kërkim pa asnjë gjurmë prej saj. Në banesën e të arrestuarit u gjetën dhe u sekuestruan dy armë zjarri automatike.

“Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet intensive për gjetjen e shtetases N. Sh., 48 vjeçe, e cila është larguar nga banesa më datë 22.07.2025. Dyshohet se pas këtij largimi mund të fshihet një ngjarje e rëndë kriminale.

Në momentin e arrestimit, Policia gjeti në banesën e 58-vjeçarit I. Sh., banues në fshatin Bujan, dy armë zjarri automatike, të cilat u sekuestruan. Armët do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme, për të përcaktuar nëse janë përdorur apo jo në ngjarje kriminale.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Tropojë, pas informacionit të marrë nga të afërm të shtetases N. Sh., se ajo ishte larguar nga banesa e bashkëshortit dhe kishin humbur kontaktet me të, organizuan menjëherë punën për lokalizimin dhe gjetjen e saj.

Nga hetimet rezultoi se 48-vjeçarja dyshohet se është larguar si pasojë e dhunës sistematike nga bashkëshorti. Në këto kushte, u shoqërua dhe më pas u ndalua shtetasi I. Sh., 58 vjeç.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Po ashtu, janë angazhuar shërbime të specializuara të Policisë për kërkimin e 48-vjeçares, me dyshimin se mund të jemi përballë një ngjarjeje të rëndë kriminale”, njoftoi policia e Tropojës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...