Nënkryetarja socialiste e Fierit, ja çfarë bën me paratë e bashkisë të fituara nga parkingu

Shares

Policia dhe Prokuroria e Fierit kanë ndërmarrë një operacion të posaçëm mbrëmjen e djeshme, duke ekzekutuar masa sigurie ndaj katër zyrtarëve të Bashkisë Fier, të dyshuar për abuzime me detyrën dhe shkelje të rënda financiare në lidhje me administrimin e parkimit nëntokësor të qytetit.

Sipas autoriteteve, hetimet disa mujore kanë zbuluar se zyrtarët nuk kanë zbatuar detyrimet ligjore për vendosjen e kasës së fiskalizimit në parkimin nëntokësor, duke i shkaktuar Bashkisë Fier një dëm financiar prej rreth 40 milionë lekësh. Përveç kësaj, të njëjtët zyrtarë dyshohet se kanë përfituar në mënyrë të paligjshme duke ulur taksat për biznese të ndryshme në qytet, në kundërshtim me ligjin.

Në kuadër të këtij operacioni të koduar “Parking”, janë marrë këto masa:

Adela Hysenaj, 34 vjeçe, ish-drejtoreshë e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës dhe më pas nënkryetare e Bashkisë Fier deri pak muaj më parë, është vënë në arrest shtëpie. Ajo akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Vasil Çeku, 41 vjeç, ish-drejtor në Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren për Rajonin Jugor në Drejtorinë Tatimore Fier, është vendosur në arrest shtëpie dhe është pezulluar nga funksionet publike. Ai përballet me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.

Martin Dodi, 57 vjeç, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Fier, është pezulluar nga detyra dhe i është ndaluar dalja jashtë shtetit. Ai akuzohet për “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm”.

Anisa Cjapi, 38 vjeçe, drejtoreshë në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, është pezulluar nga detyra dhe akuzohet për “Shpërdorim të detyrës”.

Burime pranë hetimit konfirmojnë se në kuadër të këtij procedimi është marrë në pyetje edhe kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, për të përcaktuar nëse ka pasur dijeni për veprimet e bashkëpunëtorëve të tij. Megjithatë, deri më tani ndaj tij nuk është marrë asnjë masë sigurie.

Procedurat janë në ndjekje të mëtejshme nga Prokuroria e Fierit, e cila ka në dorë dosjen e plotë të hetimit. Operacioni pritet të zbulojë të tjera të dhëna mbi mënyrën se si është menaxhuar parkimi nëntokësor dhe përfitimet e dyshuara në kurriz të financave publike.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...