Po bëhet telenovelë, Lapaj zbulon marrëveshjen me Shabanin, kreu i Thurjes: Se komandoj dajën!

Shares

Vijon paqarzësia në ish-koalicionin Nisma Shqipëria bëhet në lidhje me mandatin e deputetit të vetëm që u fitua në zgjedhjet e 11 majit, pas një kurthi esktraligjor procedurial që vetë ata projektuan pa marrë parasysh rrjedhimet.

Adriatik Lapaj deklaroi sot në një konferencë për mediat se ishte gati të jepte dorëheqjen, sëbashku me Shabanin dhe Pano Sokon, në mënyrë që mandati i deputetit t’i kalonte Greta Ambelit, e cila është edhe gruaja më e votuar e koalicionit.

“Prej ditësh jam në pritje të zotit Shabani, për të diskutuar lidhur me ngërçin e krijuar në koalicionin tonë. Edhe pse e kemi ftuar disa herë për takim, kjo nuk ka ndodhur. Prandaj ndihem i detyruar të ndaj thelbin e bisedës që do të kisha pasur me të në një takim të mundshëm.

Që në krye të herës dua të theksoj se deklarata ime për të dhënë dorëheqjen nëse do të merret vetëm një mandat, po keqpërdoret nga politika e vjetër. Ky angazhim ka qenë i imi personal me votuesit dhe strukturat e lëvizjes ‘Shqipëria Bëhet’ dhe jo me zotin Shabani dhe partinë Nisma Thurje. Me partinë Nisma Thurje kemi pasur një marrëveshje të shkruar ku të dy palët angazhohemi që mandati ti kalojë kandidatit më të votuar nga lista e hapur, si një model që premtoi ndershmëri dhe konkurrencë reale në zgjedhje.

Duke qenë se u fitua vetëm një mandat dhe unë rezultova kandidati më i votuar në listën e hapur në nivel kombëtar, i kam propozuar Shabanit që të tërhiqemi të tre, unë ai dhe zoti Soko, në mënyrë që mandati t’i kalojë zonjës Greta Ambeli, kandidate e ‘Shqipëria Bëhet’ dhe avokate me përvojë, që gëzon besimin dhe mbështetjen më të lartë nga mbështetësit tanë dhe që rezulton gruaja më e votuar në Tiranë dhe e dyta më e votuar pas meje e Lëvizjes Shqipëria Bëhet.

Kam pritur me durim një përgjigje, deri në momentin që një prej personave të listës së mbyllur, të sjellë nga zoti Shabani, ishte tërhequr nga ky zotim, një veprim që më dha sinjalin se marrëveshja nuk po respektohej. Gjatë kësaj kohe jam rezervuar nga deklaratat publike, duke e cilësuar çështje të brendshme”, tha Lapaj.

Fill më pas Endrit Shabani i është përgjigjur Adriatik Lapajt përmes një postimi në rrjete sociale.

“As jam deputet dhe as dua më të bëhem deputet. Këtë e di Adriatiku dhe e dinë të gjithë ata që duhet ta dinë, me gojë dhe me shkrim. Prandaj, mos më tërhiqni mua në një valle që duhet të mbyllet sa më parë”, tha Shabani.

Një përgjigje për deklaratën e sotme të Z. Adriatik Lapaj

Në mënyrë të përsëritur dhe fatkeqësisht për turpin e “politikës së re”, jam thirrur në një duel publik me mjete të pabarabarta nga Adriatik Lapaj.

Theksoj “me mjete të pabarabarta” sepse shpifja, gënjeshtra, fabrikimi i të vërtetës janë mjete që kanë një epërsi të caktuar mbi atë që nuk di dhe nuk do që t’i përdorë.

Adriatik Lapaj po shpif ndaj meje, po gënjen për mua dhe po përpiqet të fabrikojë një të vërtetë të tijën, duke u përpjekur të dalë i larë nga një çorbë që e ka gatuar vetë.

Unë nuk kam pasur, nuk kam dhe s’kam pse apo si të kem ndonjë qëllim për të penguar Adriatikun të hyjë në Parlament.

E kam bërë të qartë publikisht dhe privatisht me të, se për mua ai, apo kushdo tjetër që ai do (përfshi Greta Ambelin apo Kleana Xhuvelin), mund të shkojë dhe të marrë mandatin.

Nga ana tjetër, ia kam bërë të qartë po ashtu Adriatikut se unë nuk e bind dot dajën tim që të harrojë kërcënimet me jetë, apo dhunën publike dhe mediatike të frymëzuar, në mos porositur, nga Adriatiku.

Përpara se të kalohej në dhunë e kërcënime, Adriatiku është dëshmitar që jam ulur bashkë me të për t’i kërkuar dajës t’i hapë rrugën, dhe nuk ia kemi dalë.

Unë nuk jam Zeqiri dhe as dua të bëj avokatin e tij, por nuk kemi argumente as unë, as Adriatiku për ta bindur që ai të mos i kërkojë hesap Adriatikut për sa i përket fjalës së dhënë.

Kur kemi folur me Zeqirin, ai na ka thënë troç që nuk është politikan dhe premtimet i merr seriozisht. Prandaj edhe e kishte besuar Adriatikun kur thoshte se do të jepte dorëheqjen nëse do të ishte deputet i vetëm.

Kështu si shkuan gjërat, sidomos pas kërcënimeve nga njerëz të partisë së Adriatikut, ai ndihet edhe më i bindur që nuk duhet të dorëzohet përballë presionit, sepse sipas tij, Adriatiku është një gënjeshtar si çdo politikan i vjetër.

Ajo që unë nuk kuptoj është përse Adriatiku kërkon të më bëjë mua përgjegjës për vendimet individuale të dikujt që, po, është i afërmi im, por ka kokën e vet, kur Adriatiku vetë nuk mban përgjegjësi as për familjarët e tij që kërcënojnë në emër të tij.

Unë besoj njësoj si Adriatiku që ai s’ka përgjegjësi për vjehrrin që nuk e kaloi Vettingun. Por nuk është problemi im nëse ai beson që përgjegjësia e dikujt tjetër është e imja – dhe kjo nuk ka ku të rrijë!

Më vjen keq që një lider i ri si Adriatiku nuk merr asnjë përgjegjësi vetë për këtë teatër politik me familjarët, të cilin na e sugjeroi si një “gjetje gjeniale”. Ky truk ekstra-ligjor kishte padyshim risk, sepse varej te vullneti i atyre që pranonin të përdoreshin si “placeholders” (mbajtës rradhe). Prandaj edhe duhej menaxhuar me shumë kujdes.

Megjithatë, do të doja që ky absurd të mbaronte. Dhe personalisht, së bashku me ata familjarë që mendojnë si unë, e kam hapur krahun pa asnjë problem.

Motra e Adriatikut po bëhet deputete sot vetëm sepse njeriu im më i afërt ka pranuar t’ia lirojë vendin asaj.

Ndërsa Adriatikut do t’i lutesha që çfarë ka me dajën, të mos ma kërkojë mua, sepse për më tepër, sado qesharake të duket, dajës tim iu lut ta përfshinte në listë në minutën e fundit, kur nuk gjente dot kandidatë për të mbushur listat.

Unë nuk kam asnjë lidhje me këtë histori.

As jam deputet dhe as dua më të bëhem deputet.

Këtë e di Adriatiku dhe e dinë të gjithë ata që duhet ta dinë, me gojë dhe me shkrim.

Prandaj, mos më tërhiqni mua në një valle që duhet të mbyllet sa më parë. Jo për mua, por për të shpëtuar sadopak nga fytyra e zhgarravitur tashmë e “politikës së re”, deklaron Shabani. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...