Rrahje dhe gjak mes dy biznesmenëve në Ksamil, njëri përfundon në spital.
Një incident i rëndë ka ndodhur të shtunën në Ksamil, ku një konflikt mes dy biznesmenëve të zonës ka degjeneruar në dhunë fizike. Ngjarja ka ndodhur në pjesën e plazhit të “Euro Hotel Ksamil”, ku është sulmuar pronari i hotelit, Albert Pashaj, i cili ka marrë plagë nga goditjet me sende të forta.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se autor i dyshuar i sulmit është Agim Taraj, pronar i “Sunset Restorant Ksamil”. Sipas informacioneve paraprake, konflikti ka lindur për shkak të mosmarrëveshjeve mbi menaxhimin dhe vendosjen e çadrave në zonën përballë hotelit, pjesë e vijës bregdetare – një territor që shpeshherë sjell tensione mes bizneseve gjatë sezonit turistik. Ata synojnë të zënë çdo centimetër me çmime të larta një sipërfaqe publike, joshur edhe nga strukturat e korruptuara lokale.
Dyshohet se përplasja ka në thelb pretendime për kontrollin dhe pronësinë mbi hapësirat në plazh, një fenomen që mbetet problematik në zonat turistike të jugut të vendit, veçanërisht gjatë muajve të verës.
Albert Pashaj është transportuar për ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e incidentit. Agim Taraj pritet të merret në pyetje nga autoritetet ndërsa mësohet se ka pasur edhe precedentë të tjerë. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












