Përgjimet e SPAK zbulojnë skandalin e tenderëve në KPP, në qendër kreu i pezulluar Jonaid Myzyri
Një përgjim i zbardhur nga Prokuroria e Posaçme ka vënë në qendër të hetimeve kreun e pezulluar të Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera. Në epiqendër të dosjes ndodhet një kontratë me vlerë 2.3 milionë euro për mirëmbajtjen e rrugës Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal – Ura e Repsit, me gjatësi 58.7 kilometra.
Një nga dëshmitaret kyçe në këtë çështje është punonjësja e KPP-së, Lindita Skeja, e cila në një bisedë të përgjuar nga SPAK flet hapur për mënyrën se si janë manipuluar vendimet brenda institucionit. Skeja përshkruan presionin dhe bindjen që Myzyri kishte krijuar te stafi, duke e detyruar të firmoste pa kundërshtim dokumentet e tenderit.
“Vajta i shërbeva si qeni. Me sy mbyll… e du edhe pikë. Firmosim ne, të gjithë si delet. Ime veme ku të na thërrasin. Rresht. Firmën ne, lekët ata”, dëgjohet të thotë ajo.
Në dosjen e SPAK thuhet se ekzistojnë dyshime të arsyeshme se Myzyri ka ndërhyrë drejtpërdrejt në vendimmarrjet e KPP-së për të diktuar rezultatet në disa ankesa të tenderëve, përfshirë edhe këtë me fond limit 219.8 milionë lekë pa TVSH.
Prokurori i çështjes, Elvin Gogaj, ka kërkuar nga GJKKO caktimin e masës së sigurisë ndaj Myzyrit, duke argumentuar se ekziston rreziku i ndërhyrjes në prova, arratisjes dhe përsëritjes së veprës penale. Sipas SPAK, Myzyri mund të ndërhyjë te persona ende të pa marrë në pyetje, të cilët mund të kenë dijeni për skemat e parregullta të prokurimit publik.
Hetimet janë shtrirë përtej këtij rasti, duke përfshirë të gjitha procedurat e zhvilluara gjatë periudhës 2020–2023, kur Myzyri drejtonte KPP-në. Prokuroria dyshon se tenderë të shumtë janë zhvilluar pa konkurrencë reale, ku pjesëmarrës ka qenë vetëm një operator ose janë skualifikuar padrejtësisht kompani të tjera.
Jonaid Myzyri u emërua në krye të KPP-së në vitin 2020, me propozim të qeverisë dhe votat e mazhorancës. Aktualisht ndodhet nën masën e detyrimit për paraqitje, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur se kush do të mbajë përgjegjësi për fondet publike të shpërndara në mënyrë të dyshimtë. a.b

/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/













