Leonard Mnella, “bosi” shqiptar i drogës, ekstradohet në Itali pas 20 vitesh arrati dhe ‘vdekjes’ në SHBA

Shares

Leonard Mnella, 56 vjeç, i konsideruar një nga figurat më të rëndësishme të trafikut ndërkombëtar të drogës, është ekstraduar këtë të mërkurë, më 16 korrik 2025, nga Shqipëria drejt Italisë, duke i dhënë fund një arratie që zgjati mbi dy dekada.

Autoritetet italiane e kishin shpallur Mnellën në kërkim ndërkombëtar për një sërë veprash penale të rënda. Ai rezulton të jetë një pjesë kyçe e një organizate kriminale që vepronte në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, me lidhje të shtrira nga Amerika e Jugut deri në Itali e Shqipëri.

Prokuroria e Përgjithshme pranë Gjykatës së Apelit të Salernos e ka dënuar Mnellën me 25 vite burg për një sërë akuzash të rënda: rrëmbim personi, tentativë zhvatjeje, dëmtime të rënda trupore, armëmbajtje pa leje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafik droge.

Një nga episodet më të rënda lidhet me rrëmbimin e një personi në vitet ’90 në rajonin italian të Piemontes, ndërsa ai akuzohet gjithashtu për drejtimin e një rrjeti trafikimi heroine në provincën e Salernos, aktiv nga fundi i viteve ’90 deri në fillim të viteve 2000.

Pas çmontimit të rrjetit nga autoritetet italiane, Mnella arriti t’i shmangte arrestimit dhe u zhduk. Ai u lokalizua vite më vonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kishte ndërruar identitet dhe kishte inskenuar vdekjen e tij për të humbur gjurmët.

Në mars të vitit të kaluar, falë bashkëpunimit mes autoriteteve amerikane, Interpolit dhe Policisë shqiptare, Mnella u deportua nga SHBA në Shqipëri dhe u arrestua në aeroportin e Rinasit nga forcat speciale RENEA. Pas më shumë se një viti në pritje të vendimit, ekstradimi i tij drejt Italisë u realizua këtë të mërkurë. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...