Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dhënë pretencën për dosjen e dytë në ngarkim të ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro, i cili akuzohet për shpërdorim detyre në lidhje me tjetërsimin e tokave në zonën e Livadhes.
Për këtë çështje, SPAK ka kërkuar dënimin e Goro me 2 vite burg, të cilat, për shkak të gjykimit të shkurtuar, reduktohen në 1 vit e 4 muaj.
Në të njëjtën dosje është përfshirë edhe Vasillaq Strakosha, për të cilin prokuroria kërkoi 1 vit e 6 muaj burg, që gjithashtu, pas përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, reduktohet në 1 vit burg. Të dy akuzohen për “shpërdorim detyre në më shumë se një rast”, për favore të paligjshme në proceset administrative të ndarjes së tokave.
Kjo është dosja e dytë penale ndaj Jorgo Goro-s. Më herët, ai është dënuar nga Gjykata e Posaçme me 2 vite e 20 ditë burg, sërish për shpërdorim detyre, në lidhje me një tjetër çështje që kishte të bënte me kalimin e tokës shtetërore në emër të një subjekti privat për “investim strategjik”.
Aktualisht, Goro ndodhet në vuajtje dënimi dhe pritet që gjykata të shpallë vendimin për dosjen e dytë në javët në vijim. Të dy çështjet e tij janë pjesë e hetimeve të zgjeruara që SPAK po zhvillon në jug të vendit, lidhur me abuzimet me pronat publike dhe tokat bregdetare. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












