Rama: Thethi nuk është i uzurpuar nga të shkretët, por nga ndërtues për përfitim – Operacioni i prishjeve është ligjor dhe i domosdoshëm
Kryeministri Edi Rama ka reaguar gjerësisht mbi operacionin e IKMT në zonën e Thethit, duke iu përgjigjur kritikave dhe teorive që, sipas tij, përpiqen të viktimizojnë ndërtuesit informalë dhe të fajësojnë strukturat shtetërore.
“Së pari, kam vënë re që ka një teori shumë, sipas meje, për të ardhur keq lidhur me përgjegjësinë, lidhur me fajin, kush e ka fajin, dhe duket sikur një pjesë e atyre që komentojnë përpiqen që t’ia lënë fajin strukturave të shtetit. Pra nga një anë kemi disa njerëz të shkretë të cilët kanë hequr bukën e gojës për të ndërtuar disa banesa dhe nga ana tjetër kemi një shtet që i ka lënë ta bëjnë këtë në shkelje të ligjit dhe është kujtuar pastaj që t’i godasë.”
Rama theksoi se nuk bëhet fjalë për banorë vendas të zonës dhe as për nevojë banimi.
“Këtu nuk bëhet fjalë për disa të shkretë. Këtu bëhet fjalë për njerëz, individë që janë ngjitur deri atje dhe në një pjesë të konsiderueshme të rasteve nuk janë banorë të atij vendi. Madje, në rastin flagrant që u bë edhe shkak i këtij procesi, bëhet fjalë për individë që as nuk janë shfaqur që të pretendojnë çfarëdo qoftë. Policia e Shtetit po merret me hetimin e si ka ndodhur dhe kush është mbrapa pushtimit kriminal të qendrës së zemrës së Thethit, që është kartolina e njohur e Thethit. Bëhet fjalë për ndërtime që nuk janë për të futur kokën, por janë për qëllim fitimi.”
Lidhur me përgjegjësinë e institucioneve, kryeministri pranoi mangësi, por theksoi se ligji nuk e amniston shkelësin nëse nuk kapet në flagrancë.
“Unë nuk e di që të ketë ndonjë teori që e amniston shkelësin e ligjit duke ia ngarkuar fajin strukturave të shtetit, nëse nuk e parandalojnë shkeljen e ligjit ose nëse nuk e kapin shkelësin në sekondën kur ai fillon të bëjë shkeljen.”
Ai iu referua edhe prokurores Elsa Gjeli, duke thënë se nuk ka nisur as hetimet, pavarësisht denoncimeve.
“Strukturat kanë marrë përgjegjësinë e tyre. Mbetet për t’u parë se çfarë përgjegjësie do të marrë Këshilli i Lartë i Prokurorisë me zonjën Gjeli, e cila nuk ka pranuar as të fillojë hetimin bazuar në denoncimet e bëra. Në Theth janë goditur 40 subjekte që në shumë raste kanë pasur nga dy apo tre ndërtime. Policia ka çuar një numër të konsiderueshëm denoncimesh në Prokurori dhe nuk ka pasur asnjë veprim.”
Rama mohoi pretendimet se banorët janë gënjyer nga qeveria për të ndërtuar pa leje.
“Ka një teori tjetër që e kishte nxjerrë në pah edhe një prift, çuditërisht, që ma çoi dikush dhe u habita sesa një njeri i Zotit kishte hyrë në këtë histori duke folur për joshje, për rrena, sikur me demek ne i joshëm, i gënjyem dhe pastaj i premë në besë. Ne nuk kemi prerë në besë askënd. Ne kemi premtuar legalizimin e të gjithë shtëpive të vjetra dhe e kemi përmbushur me rreth 300 legalizime në Theth.”
Sipas tij, të gjitha ndërtimet e prishura janë të reja dhe janë bërë pas përfundimit të procesit të legalizimeve.
“Të gjitha këto ndërtime që janë prishur deri në gurin e fundit janë ndërtime të bëra në muajt e fundit. Ka pasur një turravrap të madh në Theth, jo vetëm nga disa prej banorëve, por edhe nga individë që s’kanë lidhje me Thethin.”
Ai mohoi kategorikisht pretendimet për ndërtim resortesh dhe për favore ndaj oligarkëve.
“Nuk bëhet fjalë për të lejuar ndërtimin e resorteve turistike në qendrën e mbrojtur të Thethit. Është absolutisht jashtë çdo lloj opsioni. Në Shqipëri s’ka asnjë oligark.”
Kryeministri deklaroi se do të vijojë mbështetja për banorët që duan të ndërtojnë në male, por gjithmonë sipas ligjit.
“Do të mbështesim të gjithë ata që kanë prona në male, me kushtin që të marrin leje. Kemi bërë Paketën e Maleve për t’ua lehtësuar procesin. Edhe në zonat ku ligji 7501 nuk është zbatuar.”
Duke iu përgjigjur kritikave për kohën e ndërhyrjes, Rama tha se nuk kemi për të pritur.
“Teoria ‘pse në sezon, të prisni njëherë’ nuk qëndron. Nuk kemi për të pritur. Kjo po ndodh në të gjithë vendin, edhe në bregdet, ku janë dhënë gjoba të rënda dhe janë bërë prishje. Por ato nuk i nxjerrin në televizor.”
Ai njoftoi se së shpejti do të bëhet konfiskimi i një ndërtimi të paligjshëm në Vlorë dhe theksoi se lufta kundër ndërtimeve pa leje është pjesë e reformës për integrimin në BE.
“Ne nuk kemi asnjë minutë për të humbur. Kemi marrë përsipër të përfundojmë legalizimet brenda vitit 2028. Por kushdo që mendon të legalizojë në shkelje të ligjit dhe jashtë afateve, ta harrojë.”
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












