Dënohet ish-shefi i krimeve, Gazmir Preçi për korrupsion pasiv, kërkoi 10 mijë euro për lokalin e striptizmit

Shares

Është dënuar me burgim ish-shefi i krimeve në Durrës, Gazmir Preçi për korrupsion pasiv – SPAK përfundon gjykimin në masë të shkurtuar. Ai akuzohej se kërkoi 10 mijë euro për të mos mbyllur një lokal striptizmi.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim çështjen penale ndaj të pandehurit Gazmir Preçi, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 paragrafi 2 i Kodit Penal.

Procesi gjyqësor është zhvilluar me procedurë të shkurtuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtarët Etleva Deda, Irena Gjoka dhe Flojera Davidhi, me vendimin nr. 50, datë 14.07.2025, shpalli fajtor të pandehurin Gazmir Preçi dhe vendosi: Dënimin me 3 vjet e 6 muaj burg, i cili u ul me 1/3 në zbatim të gjykimit të shkurtuar, duke u konvertuar në 2 vjet e 4 muaj burgim efektiv; Heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare; Llogaritjen e dënimit nga data e arrestimit në flagrancë, më 15.08.2024, me vuajtjen që do të kryhet në një nga institucionet e sigurisë së zakonshme për të rritur.

Gjykata vendosi gjithashtu që materialet filmike dhe audiovizive të siguruara gjatë mbikëqyrjes së fshehtë, përfshirë video nga ambientet e subjekteve “Auto 555”, “Aldi”, si dhe pamje të sekuestruara pranë DVP Durrës, të ruhen në fashikullin gjyqësor si provë materiale.

Ndërkohë, dy aparatet telefonike të sekuestruara të të pandehurit – një iPhone 15 dhe një iPhone 11 – do t’i kthehen atij në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Po ashtu, Gazmir Preçi detyrohet të paguajë shpenzimet proceduriale të hetimit dhe gjykimit, në shumën 2,207.11 lekë. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...