13 milionë lekë të reja gjobë për pronarin e lokalit në Dibër pasi ndoti lumin Drin.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër ka reaguar pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku një i mitur shfaqet duke hedhur mbeturina në lumin Drini i Zi. Pas verifikimeve të kryera menjëherë pas publikimit të pamjeve, Policia ka referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit M.M., 64 vjeç, banues në fshatin Muhurr.
Sipas njoftimit zyrtar, i mituri ka kryer veprimin ndotës gjatë qëndrimit në ambientet e lokalit të shtetasit M.M., i cili dyshohet se ka lejuar veprimin në kundërshtim me detyrimet ligjore për mbrojtjen e mjedisit. Për këtë arsye, ndaj tij është ngritur akuza për veprën penale “Ndotja e ujërave”.
Përveç procedimit penal, Drejtoria e Mbrojtjes së Mjedisit ka vendosur edhe një masë administrative të konsiderueshme ndaj M.M., në vlerën e 13 milionë lekëve, si penalitet për ndotjen e konstatuar.
Policia e Dibrës falënderon qytetarët dhe mediat për ndihmën dhe bashkëpunimin, duke i ftuar të denoncojnë çdo rast shkeljeje të ligjit apo abuzimi me mjedisin. Institucioni garanton reagim të menjëhershëm, të drejtë dhe të paanshëm për çdo rast të tillë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












