Nga Ilda Zhulali
Nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Arbjan Mazniku, le ta marrë Kryekryetarin Edi Rama, për një vizitë turistike në Tiranë.
Vizita të nisë në selinë 5D nga ku mund të kundrojnë pallatin pa leje mbi kullë, bash nga dritarja e zyrës.
Më pas, një shëtitje buzë Lanës nën aromën e një jashtëqitjeje goxha metropolitane, plot 120 milion euroshe.
Prej aty fill tek Landifilli i Sharrës, ku mbi malin e plehrave kryekryetari të vizatojë incineratorin luksoz, jo si ai palo hiç që deri tani ka kushtuar vetëm 145 milionë euro.
E pse jo, të vazhdojë tek tregu modern i Baldushkut, ku tregtohet bosh me shumicë e pakicë.
Më pas, le të shkojnë tek fabrika muze e ziftit elektoral pa leje në Kërrabë.
Duhet medoemos një ndalesë dhe në Kombinat, veçanërisht tani kur pritet të shemben disa godina që u dëmtuan nga lagështia e tërmetit të 6 viteve më parë.
Në mbyllje të një dite kaq të lodhshme, të marrin dhe znj. Ristani dhe të vizitojnë me një kavanoz komposto Erionin në Durrës. Pas rekordit të ri të vjeljes së 14.3 miliard lekëve taksë nga më shumë se 1.9 milion metra katror ndërtim në Tiranë gjatë 2024, ia vlen mbyllja me një selfie e kësaj dite, me urimin: “Forca Lal!”
E di që analistët do lodhen të gjejnë me saktësi se kush është lali, por ia vlen kjo gjëagjëzë e Kryekryetarit në një ditë korriku plot zjarre, shembje dhe prerje kokash në emër të popullit.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












