Erion Veliaj mbetet në qeli, edhe Gjykata e Lartë nuk ia zgjidh duart

Shares

Pamje e burgut ku mbahet Erion Veliaj

Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e Erion Veliajt për lirimin nga burgu sot pas një seance dy-orëshe.

Gjykata e Lartë ka refuzuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për lirimin nga paraburgimi. Trupa gjykuese e Kolegjit Penal, me relatore gjyqtaren Albana Boksi, vendosi të lërë në fuqi masën e arrestit me burg, të vendosur më herët nga Gjykata e Posaçme e Apelit më 13 mars.

Në rekursin e tij, Erion Veliaj pretendonte se nuk kishte rrezikshmëri, se nuk kishte premisa të arratisej, ishte i zgjedhur lokal dhe duhet të përfaqësonte interesat e qytetarëve në detyrën e tij.

Veç këtyre argumenteve mbrojtja e 46 vjeçarit që mbahet në burgun e Durrësit kishte renditur edhe një sërë shkaqesh të tjera si veprimet hetimore të SPAK, por edhe shkaqe procedurale. Duke këmbëngulur se nuk kishte prova të korrupsionit avokatët e tij i thoshin gjyqtarëve të lartë se masa duhej zbutur e për këtë kërkuan shfuqizimin e vendimit datë 13 mars 2025 të gjykatës së Apelit e cila aprovoi burgosjen e kryebashkiakut që ishte vulosur në shkurt nga shkalla e parë.

Kërkesa e Veliajt u shoqërua nga ankime të paraqitura edhe nga bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, dhe gjashtë biznesmenë të përfshirë në të njëjtin hetim, të cilët kundërshtuan masat e sigurisë ndaj tyre. Sipas SPAK, Veliaj dhe Xoxa akuzohen për krijimin e një skeme të ndërlikuar korrupsioni dhe pastrimi parash, nëpërmjet së cilës kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga fondet publike. Këto para, sipas hetuesve, janë përdorur kryesisht për blerje luksoze nga Ajola Xoxa.

Veliaj dhe bashkëshortja e tij i kanë mohuar të gjitha akuzat, duke e konsideruar procesin si të motivuar politikisht dhe me karakter “kafkian”.

Veliaj u arrestua nga SPAK më 10 shkurt, ndërsa masat e sigurisë ndaj tij janë konfirmuar në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Vendimi i Gjykatës së Apelit e justifikoi arrestin me dyshimet se Veliaj dhe Xoxa kanë tentuar të ndikojnë në hetim përmes prishjes së provave dhe kërcënimit të dëshmitarëve dhe agjentëve të BKH-së.

Nën hetim për përfshirje në skemën e ndikimit ndaj provave ndodhet edhe deputetja socialiste Klotilda Bushka, aktualisht kryetare e Komisionit të Ligjeve, e cila i ka hedhur poshtë akuzat dhe ka akuzuar SPAK për dëmtim të imazhit të saj.

Ndërkohë, nga qelia, Veliaj ka angazhuar gjithashtu dy studio ligjore ndërkombëtare në SHBA dhe Britani, si dhe një agjenci britanike të marrëdhënieve me publikun për të menaxhuar imazhin e tij.

Erion Veliaj mbetet zyrtari më i lartë në detyrë i arrestuar nga SPAK deri më tani. Rasti i tij shihet si një provë kyçe për besueshmërinë e reformës në drejtësi dhe angazhimin e shtetit shqiptar në luftën kundër korrupsionit. Pavarësisht ndalimit, ai vazhdon të mbajë zyrtarisht funksionin e kryebashkiakut të Tiranës, i cili është deleguar përkohësisht nënkryetares Anuela Ristani. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...