Përfundon seanca maratonë për çështjen “Bankers”, Gjykata e Fierit lë në fuqi masat për 9 të arrestuarit

Shares

Pas tetë orësh diskutimesh, Gjykata e Fierit ka përfunduar seancën maratonë për 9 personat e arrestuar në lidhje me hetimet ndaj kompanisë “Bankers Petroleum”. Trupa gjykuese vendosi të lërë në fuqi të gjitha masat e sigurisë të kërkuara nga Prokuroria.

Të pandehurit, mes tyre drejtori aktual i kompanisë, shtetasi kinez Hong Ping Xiao, dhe ish-administratori Leonidha Çobo, të cilët u paraqitën në gjykatë me pranga, kanë mohuar akuzat dhe janë shprehur të pafajshëm përpara gjykatës.

Prokuroria e Fierit akuzon drejtuesit dhe kompaninë për një sërë veprash penale, përfshirë: krijimin e skemave mashtruese për qëllime përfitimi nga TVSH-ja; fshehjen e të ardhurave; pastrimin e produkteve të veprës penale; shpërdorimin e detyrës; dhe moskryerjen e detyrimeve ligjore nga organet tatimore.

Sipas hetimeve të deritanishme, gjatë periudhës 2004-2024, “Bankers Petroleum” ka raportuar humbje të njëpasnjëshme, ndërkohë që ka realizuar shitje dhe eksporte me një vlerë mbi 532 miliardë lekë. Prokuroria dyshon se kjo është arritur përmes raportimit të shpenzimeve të rreme, duke shmangur pagesën e taksave dhe duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm të konsiderueshëm.

Në kuadër të hetimeve janë ushtruar kontrolle në zyrat e kompanisë dhe në disa banesa private, ku janë sekuestruar dokumente dhe prova të konsideruara thelbësore për zbardhjen e çështjes. Hetimet vijojnë ndaj individëve dhe subjekteve të tjera të dyshuara për përfshirje në skemat e mashtrimit dhe pastrimit të parave. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...