Ndërsa sot fillon në GJKKO, procesi gjyqësor ndaj kreut të PD, Sali Berisha , dhëndrrit të tij Jamarbër Malltezi, dhe personave të tjerë, Malltezi ka bërë një përshkrim dhe ballafaqim të akuzave me faktet.
Në vijim ne po publikojmë të plotë shpjegimin e tij.
LETRA/ Meqenëse ka një vendim të pabazuar në ligj që më ndalon komunikimin me askënd tjetër perveç atyre që banojnë në të njëjtën banesë – për pasojë as me avokatët pasi ata nuk banojnë në të njëjtën banesë – po ju shkruaj disa pika shtesë në kërkesën që po depozitohet në Gjykatë.
Vijoj i burgosur politik prej thuajse 20 muajsh me urdhër të Edi Ramës dhe Taulant Ballës dhe nënshtrimin total të prokurorëve, por edhe të gjyqtarëve që janë vetuar nga motra e zv. Kryeministres Balluku, që vijojnë të inspektohen nga vëllai i ish ministers Gjermeni dhe ish përfaqsues kryesor i Fondacionit Soros, Artur Metani, dhe që përgjohen deri tek familjarët e tyre nga BKH nën urdhrat e SPAK që është vetë palë në proces. Unë nuk dëshiroj të heq dorë nga e drejta ime kushtetuese për një gjykatë të pavarur të krijuar me ligj dhe që nuk shantazhohet nga prokurorët e SPAK.
Po shkruaj haptaz (që Gjykata Kushtetuese të mos vetë-turpërohet më pas duke shkruar se nuk janë ngritur pretendimet për ndikim politik të procesit, sikur ka ndodhur me parë për turpin e këtij sistemi) që ky proces është një farsë politike e ngritur me porositë e kundraligjshme të diplomatëve Gabriel Escobar, Yuri Kim, dhe urdhrat politik të Edi Ramës në Kongresin e Partisë Socialiste (PS) më 09.04.2022 dhe Asamblenë e PS më 07.05.2022.
Procedimi penal nisi me kallzimin e rremë të Taulant Ballës në vitin 2020 – asokohe Sekretar i Përgjithshëm i PS dhe Kryetar i Grupit Parlamentar të PS – kinse toka ishte shpronësuar nga Italianët. SPAK nisi procedimin penal brenda ditës ndonëse e kish të qartë që ishte kallzim i rremë pasi Fletoret Zyrtare të 1942-1943 që janë online për këdo konfirmojnë se prona i mbeti familjeve pronare. Edhe sot që kanë shpenzuar miljona lekë dhe energji qoftë në Arkiv të Shtetit dhe qoftë duke marrë dhjetëra mijëra faqe nga Arkivat Italiane, SPAK ndonëse faktoi se Taulant Ballës kreu kallzim të rremë, sërisht refuzon të nisë procedim penal.
Ky është sulm politik përmes organeve të politizuara në ekstrem. Përveç emërimeve të prokurorëve dhe gjyqtarëve që kaluan filtrat e ministreve të Edi Ramës, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja emëroi aktivistin e PS (B. Karaxha) si OPGJ në BKH dhe e përdori si personin kryesor qoftë për të kryer sekuestro pa vendim gjykate, qoftë për të frikësuar e kërcënuar qytetarë dhe dëshmitarë. Aktivistë të tjerë të PS u punësuan si OPGJ pranë BKH (që urdhërohet nga SPAK) dhe të afërm të tyre u keqpërdorën nga SPAK për ekspertiza të rreme e të papranueshme (psh. ish militanti i PS Aldi Zyba u emërua OPGJ në BKH, ndësa babai Aleks Zyba u caktua nga SPAK për të kryer ekspertizë topografike pa qenë fare inxhinier gjeodet dhe në konflikt interesi).
Në këtë farsë nuk ka fare fakt penal, nuk ka asnjë dëm, ka vetëm kthim të sendit të vjedhur nga hajduti me petkun shtet tek qindra pronarët legjitimë, dhe zhvillim privat i pronës private nga 3 prej trashëgimtarëve të pronarëve siç e kanë vlerësuar vetë privatisht, duke mos nxjerrë me forcë asnjë nga 42 familjet informale që halli i kish bërë të jetonin në kushte të vështira në rrënojat e ish klubit, por përkundrazi duke zgjidhur hallin e strehimit të gjithë atyre familjeve. Nuk ka fare vepër penale se është zhvillim privat i pronës private dhe as nuk ka vepër sipas nenit 287.
Edhe sot, SPAK ndonëse ka mbledhur mbi 120,000 fletë palidhje, prapë nuk ka asnjë copë letër se si u be shteti pronar i tokës kur aty ishin pronarë familjet themeluese të Tiranës siç është vërtetuar me kontrata të para 90 viteve dhe nga vetë matjet e Italianëve të para 85 viteve. Pra, shteti as nuk e ka blerë, as nuk e ka këmbyer, asgjë. Si e fitoi pronësinë? Thjesht e grabiti pa asnjë letër. SPAK sot po mbron interesat e grabitësit shtet komunist, apo narkoshtet i kapur i Edi Ramës. Duket si rasti që hajduti pasi e grabit tokën, më pas të bën edhe akuzë biles edhe gjyq.
SPAK ka regjistruar një procedim penal brenda dites (01.12.2020), bazuar vetëm në kallëzimin e rremë të paraqitur nga z. Taulant Balla, – asokohe Sekretar i Përgjithshëm i PS dhe Kryetar i Grupit Parlamentar të PS – kinse toka ishte shpronësuar nga Italianët, kur Fletoret Zyrtare tregonin qartë që në momentin fillestar të kundërtën e fakteve të parashtruara nga kallëzuesi dhe pa qenë kompetente për të hetuar këtë çështje penale, sepse regjistrimi i procedimit penale në vitin 2020 është pa emër personi nën hetim (apo personi që i atribuohet vepra penale) dhe SPAK nuk kishte kompetencë për shkak të subjektit, si dhe nuk ka pasur kompetencë për shkak të veprës sepse neni 287 i Kodit Penale, nuk përfshihet në veprat penale të parashikuara.
Rregjistrimi i procedimit penal është kryer (i) duke paracaktuar fundin e hetimit (personat që do merreshin të pandehur si armiq të PS) dhe kjo (ii) ka shmangur pjesëmarrjen dhe kontrollin e hetimeve sipas të drejtave të përcaktuara në KPP edhe pse hetimi është kryer ndaj z. Malltezi dhe fëmijëve të tij, dukshëm që në vitin 2021.
SPAK refuzoi të pranojë qoftë artikujt e shumtë mediatike ku pasqyrohen urdhërat politike të Edi Ramës dhe ish diplomatëve Gabriel Escobar dhe Yuri Kim për të proceduar penalisht Sali Berishën për çfarëdo që të munden, qoftë dy DVD me urdhërat publik të Edi Ramës drejtuar SPAK për të hetuar dhe proceduar Sali Berishën si në Kongresin e Partisë Socialiste (PS) më 09.05.2022 edhe në Asamblenë e PS më 07.05.2022 ku Edi Rama ju drejtua me fjalët:
“Jemi vetëpërmbajtur deri ku tani nuk mban më, përballë kësaj talljeje të madhe. Durimi ynë po soset. Zonja dhe zotërinj të SPAK-ut Zgjohuni! Po deligjitimohet SPAK-u dhe i gjithë sistemi i ri i drejtësisë!” Edhe gjyqtarja e hetimeve paraprake (që ishte qoftë në konflikt interesi pasi ishte shkarkuar nga KLD e kryesuar nga Presidenti Berisha në 1996, dhe qoftë nuk përmbushte kushtet pët të qenë gjyqtare) nuk i pranoi këto fakte publike të presionit politik nga Edi Rama. Vetëm në seancën e shqyrtimit paraprak u pranuan shumë prej tyre.
Fill pas urdhrave të Edi Ramës drejtuar SPAK në Kongresin e PS më 09.04.2022, brenda 5 javësh (15.04.2022 – 20.05.2022) SPAK ka nisur një breshëri me 16 kërkesa drejtuar të gjitha institucioneve të mundshme duke kërkuar informacione për Sali Berishën dhe 3 breznive të tij qysh para 30 vitesh dhe deri tek mbesat e palindura ende të tij asokohe. Pra fillimisht shënjestrohet “Armiku i PS” sipas urdhrit publik të Edi Ramës dhe më pas kërkohen informacione për 30 vjet e jo për çështje konkrete.
Menjëherë pas regjistrimit të emrit në regjistrin e njoftimeve të veprave penale, pa u pyetur, edhe pse hetimet ishin zhvilluar për tre vite, prokuroria paraqiti kërkesë për caktimin e masës së sigurimit. Në kërkesën për caktimin e masës së sigurimit (edhe më pas në vendimet e gjykatave), nuk tregohet as telegrafikisht se si pretendohet të jenë kryer veprat penale. Kërkesat për masa kur nuk është pyetur dhe nuk janë konsideruar argumentet e mbrojtjes janë të paligjshme por ligji është teknikalitet i parëndësishëm kur urdhri vjen nga Edi Rama.
Nënshtrimi ndaj urdhrit politik bëri që edhe gjyqtarja Irena Gjoka ta kalonte brenda 3 ditësh kërkesën 210 faqe të prokurorëve, të shihte edhe gati 20,000 faqe materiale në 42 fashikuj të prokurorisë, të shkruante 215 vendim gjyqsor për masat e sigurisë dhe të nxirrte edhe vendimin për sekuestro të 25 pasurive private (se nuk ka asgjë publike në këtë farsë). Standardet ndërkombëtare për leximin me kuptim tregojnë që mund te asimilohen rreth 80-100 faqe në ditë, ndërsa standardet e OKB për proces-verbal mbajtësit e gjykatave (që shtypin më shpejt nga njerëzit e zakonshem) janë që njeriu mund të shtypë rreth 40 faqe në ditë. Pra gjyqtarja Irena Gjoka ka kapërcyer shumë standarde ndërkombëtare. Ilustim i qartë i standartit të dyfishtë dhe nënshtrimit ndaj urdhrit politik është fakti se po e njëjta gjyqtare, në rastin e dosjes së trafikut ndërkombëtar të drogës të bandës Poja (Troplini) që bleu vota për PS në Durrës e mbajti vendimin e gjykatës italiane mbi fletë arrestet mbi 40 ditë para se t’a firmoste!
Brenda ditës Irena Gjoka vendosi të sekuestrojë edhe të gjithë llogaritë bankare dhe shumicën e pronave të armikut të PS Jamarbër Malltezi, pa kryer asnjë verifikim që disa ishin blerë qysh para 20 vitesh kur punoja për Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, etj. As SPAK e as gjyqsori nuk tregojnë dot asnjë rast ku brenda ditës të jenë marrë masa burgosje dhe sekuestro për çdo llogari bankare dhe çdo pronë të fituar me fonde personale të cilitdo personi që zhvillohen hetime, por mesa duket shteti ka të tjera ligje për armiqtë e PS. (E dinim batutë humoristike skeçin që thoshte “Ka ligje të tjera për pulat e zeza dhe ligje të tjera për pulat e bardha“).
Tek vendimi i Irena Gjokës i datës 20.11.2023 ka edhe një informacion të rremë që nuk ndodhet në kërkesën e prokurorëve të datës 16.10.2023, por që prokurorët e kanë ngritur disa javë më pas! Bëhet fjalë per pretendimin se VKM për përdorimin e Bonove të Privatizimit u shfuqizua 7 muaj më pas. Këtë SPAK e ka paraqitur zyrtarisht për here të parë në Dhjetor 2023 në Kuvendin Popullor, pra si e dinte Irena se SPAK do e ngrinte këtë pretendim dy muaj më pas kur tek kërkesa zyrtare ndaj saj nuk figuronte? Këto tregojnë proces të ndotur, komunikim ekstraligjor mes prokurorëve dhe gjyqtares që ia kane dhënë të gatshëm me flashdisk por që kishin shtuar ndërkaq edhe pretendimin që nuk e kishin në kërkesën zyrtare. Ai pretendim rezultoi i rremë pasi 7 muaj më pas VKM kish hequr të drejtën e përdorimit të bonove veç në procedurë ankandi por nuk cënoi të drejtën e përdorimit të bonove të privatizimit për pronarët e ligjshëm të tokës. Kjo është tjetër tregues i standardeve të dyfishta apo dyfytyrësia e drejtësisë me rregji të Edi Ramës.
Tashmë është bërë e qartë se Irena Gjoka nuk përmbushte kushtet për të qenë gjyqtare në kohën kur ka vendosur vendimin për masën ndaj meje dhe ka marrë vendimet për vazhdimin e saj në bazë të raportimeve të SPAK, pasi ka pasur si dëbim edhe vendim penal të formës së prerë ndaj saj dhe të çertifikuar me vulë apostile nga Gjykata e Janinës. Për rrjedhojë e bëjnë një gjykatë jo të formuar me ligj dhe çdo vendim të Irena Gjokës absolutisht të pavlefshëm sipas nenit 128/a të KPP. Por sërisht shteti përthyet deri në absurd veç për lojra politike: KLGJ nuk vendos (ndonëse e ka të detyrueshme me ligj që duhet të veprojë brenda 15 ditësh) pasi pret konfirmimin nga Prokuroria e Përgjithshme paçka se vendimi i Gjykatës së Janinës është me vulë apostile, Prokuroria e Përgjithshme kinse po heton prej 15 muajsh por që kalon letrat nga Ministria e Drejtësisë, ku Ministri Manja thërret në raportim kreun e SPAK sipas dëshirës, dhe Ministria ia dërgon letrën Gjykatës së Athinës e jo asaj të Janinës.
Në seancën e shuarjes së masës më 08.11.2023 (15 ditë burg pa vendim të zbardhur) unë i drejtova disa pyetje gjyqtares Irena Gjoka lidhur me nënshtrimin politik të gjyqtares, por as nuk ju përgjigj dhe bëri kinse sikur nuk ekzistonin. Kjo është ngritur disa herë por gjykatat kanë preferuar të mbyllin sytë e mos përgjigjen, ndonëse vendimi nr. 55 datë 18.12.2012 i GJK i bën nul vendimet që nuk respektojnë standardin kushtetues të arsyetimit të vendimeve gjyqsore, përfshirë edhe përgjigjet ndaj pretendimeve të palëve.
Ngjashëm edhe në seancën e Apelit të Diligjencës së Katërt unë i drejtova disa pyetje gjyqtares Ilirjana Olldashi lidhur me nënshtrimin politik të SPAK dhe që kjo është vetëm çështje politike, por gjyqësori i kontrolluar pretendoi se këto argumente nuk ishin ngritur e nuk ju përgjigj, në shkelje të detyrimit të arsyetimit të vendimeve gjyqsore (vendimi 55 datë 18.12.2012 i GJK).
Pas kësaj, prokurorët e SPAK e konsideruan të tepërt ligjin që i detyron të shkruajnë raporte 2-mujore dhe më lanë mbi 3.5 muaj në arrest shtëpie pa raport diligjence fare (27 Qershor 2024 – 12 Tetor 2024). Edhe kjo është shkelje e ligjit por shkeljet janë bërë normë në këtë proces kafkian. Në çdo dy muaj unë duhej të merrja vendimin e gjykatës për rishikimin e masës, bazuar në raportin dymujor të diligjencës të prokurorisë por kjo nuk është respektuar asnjëherë. Edhe në rastet kur prokuroria nuk e kryen këtë detyrim ligjor, ligji e detyron gjykatën ta ndërmarrë këtë gjë ex-officio, por duket se “ka ligje të tjera për armiqtë e PS” dhe gjyqtarja e hetimeve nuk kishte problem kapercimin e afateve ligjore në shkelje të të drejtave procedurale.
Në përpjekje për të sajuar prova për të justifikuar procedimin penal të paligjshëm, prokurorët kanë detyruar disa ekspertë të hartojnë ekspertiza sipas urdhrave të tyre dhe jo sipas bindjes së pavarur të ekspertëve dhe metodologjisë që përcakton ligji. Një gjë e tillë pohohet në vetë ekspertizat e firmosura nga ekspertët. Në bazë të këtyre ekspertizave joligjore e të pavlefshme unë jam mbajtur në arrest për 20 muaj. Prokurorët kanë detyruar ekspertët që të vlerësojnë objektet e rrënuara 60 vjeçare (disa prej të cilave pa dritare dhe pa çati ose me çati me llamarina apo asbest), me objekt palestra, magazine, etj, sikur duhej të privatizoheshin me vlerë prej thuajse 1,000 euro/m2 (sipas një udhëzimi të Entit Kombëtar të Banesave që fliste për apartamentet e reja që do shiste Enti i Banesave në vitin 2007 e jo për rrënoja të depove 60 vjeçare).
Në mënyrë të turpshme të njëjtët prokurorë që kanë pretenduar që unë dhe familjet e tjera pronare të paguanim në vitin 2007-2009 për objektet e rrënuara, të ndërtuara para 60 vitesh një çmim gati 1000 euro/m2, vetë kanë blerë objekte me vlera qesharake shumë vite me pas. Prokurorja Millonai, referuar deklarimeve të saj në procesin e vetingut ka pretenduar se në vitin 2016 ka lidhur kontratë për blerje apartamenti fringo të ri në Tiranë, në një zonë që koincidon afër zonës së ish Klubit Partizani (tek Astiri) me vlerën 476 euro/m2! Mesa duket edhe kjo shifër është konsideruar e lartë sepse ndërtuesi e ka pritur 7 vjet që të kryente pagesën. Ajo e justifikoi (dhe vetingu ia pranoi) se vlera e ndërtimeve të reja në Tiranë në 2015 ishte më pak se 400 euro/m2!
Po kështu, prokurori tjetër i çështjes Arben Kraja ka deklaruar në deklarimin vjetor të pasurisë së tij se ka blerë tokë në Gjirin e Lalzit, të cilën së bashku me 3 objekte ushtarake brenda e ka blerë në vitin 2006 për vetëm 5 euro/m2! Edhe prokurorit Kraja i është pranuar blerja e tokës së bashku me 3 objekte ushtarake brenda për vetëm 5 euro/m2.
Këto fakte tregojnë se jo vetëm prokuroria ka përdorur standarte të dyfishta për këtë procedim penal dhe caktimin e masës së arrestit ndaj meje, por se edhe gjykata i ka pranuar ato si arsyetim për mbajtjen e kësaj mase.
Trashëgimtarët e pesë familjeve themeluese të Tiranës nuk u bënë pronarë me proces privatizimi. Pronarë këto familje ishin prej 100 vitesh, përmes blerjes së tokës private. Në dokumentet e viteve 1940 (matjet nga autoritetet Italiane qe urdheruan rekuizicionin 6 mujor) SPAK dëshmon se e gjithë toka në fjalë ishte private dhe nuk kishte asnjë cm2 tokë shtet në atë zonë. Gjithashtu dëshmon se kurrë nuk ka pasur shpronësim nga autoritetet Italiane por Rekuizim të përkohshëm 6-mujor të botuar në Fletoret Zyrtare të kohës, derisa kapitulloi Italia në Shtator 1943.
Procesi i kthimit të pronës ështe kthim i sendit të vjedhur tek pronari legjitim. Ky proces zgjati nga 1994 deri në 2007, kur pas dhjetëra vendimesh qysh nga viti 1995 (njohje prone e pjesërisht kthim), prona e vjedhur iu kthye pesë familjeve pronare. Në këtë tokë të pronarëve të ligjshëm, jashtë çdo rregulli ishin futur 42 familje informale të cilët banonin në kushte mjaft të vështira pasi ashtu ishin katandisur godinat.
Për të gëzuar sendin e vjedhur nga rregjimi komunist, pronarët fisnikë u detyruan nga ligji të blejnë edhe barrakat e ndërtesat e uzurpuara. Pra, shteti jo vetëm që ua vodhi pronën dhe ua mbajti atë për 60 vjet pa qera, por tani pronarët e ligjshëm duhet të prisnin edhe 3 vjet, për të blerë ato barraka që as nuk i duheshin, e që për më tepër, ishin të uzurpuara. Dhe shteti as nuk pagoi qira për 3 vite që zgjatën procedurat e privatizimit siç e parashikonte ligji.
Pronarët u detyruan të paguajnë edhe 700,000 $ për ndërtimet e uzurpuara tek njëri klub, si dhe mbi 100,000 $ për klubin tjetër. Krahasojeni pak me çmimin 1 Euro me të cilin Edi Rama i bëri dhuratë Carlo Bolinos 4,120 m2 tokë dhe ndërtesë 2-katëshe, caktuar për gjimnaz.
Këtë pronë private, pronarët e zhvilluan duke respektuar çdo ligj te vendit, por edhe me humanizëm e respekt për komunitetin. Ata strehuan 42 familje informale falas, morën një nga emrat e shquar të arkitekturës botërore për të konceptuar zonen, si Daniel Libeskind, bënë ndërtime miqësore me mjedisin. Nëse do të kishim marrë leje klienteliste do të kishim ndërtuar fjetore në gradaçela që të zënë qiellin dhe diellin, nëse do kishte pastrim parash do kishim shitur me çmim të çmendur se do kishim plot para për të pastruar. Por jo ne, fisnikët e Tiranës!
Nga projekti ynë, publiku fitoi mbi 2,000 vende pune, miliona euro taksa, krijimin e parkut urban më të madh në Tiranë përmes mbjelljes së mbi 2,200 pemëve, kopshtin/çerdhen më të mirë në Tiranë, ndërtesa miqësore me mjedisin, zonën me ajrin më të pastër në Tirane, faltore për besimtarët, vepra arti si edhe zgjidhjen e problemit të strehimit te 42 familjeve informale.
Nëse do ishte përdorur pushteti nga Sali Berisha, siç e përdor Edi Rama:
1. Nuk do zgjaste 13 vjet kthimi i tokës së vjedhur tek i zoti.
2. Nuk do kish zgjatur 3 vjet privatizimi i ndërtesave në tokë pronare, por veç 2 ditë (se Edi Rama kinse kalon 17 firma në ditë – rasti i Inceneratorit te Elbasanit – e SPAK nuk flet).
3. Nuk do kishim paguar 800,000 $ për disa barraka të zëna forcërisht, por shumë herë më lirë, ose 1 euro, si psh. Bolino ose si vellai i Edi Rames.
4. Do kishim edhe ne, pronarët e tokës, VKM nominative, siç ka nxjerrë Edi Rama 4 VKM në emër të kompanisë së Bolinos, për t’I kaluar atij tokën tone të cilën ramë dakort t’ia falnim komunitetit për shkolle. Ose si Ligjin Fusha, apo dhjetra akte te tjera si për Portin e Durrësit. Limionin, Klubin e të vëllait të Ramës, etj.
5. Do kishim marrë, si kunati i Edi Ramës, dhjetëra tendera me para publike. Por asnjë trashëgimtar Begeja, nuk ka marrë asnjë lek fonde publike gjatë qeverisjes së PD.
6. Nuk do të kishim paguar taksa, se do të përfitonim si “strategjik”.
7. Nuk do kishim shpenzuar token dhe parate tona per t’i dhuruar komunitetit çerdhen dhe kopshtin më të mirë ne Tirane.
8. Nuk do e zhvillonim tokën me parametra të pranueshëm urban, por me gradaçela që u bllokojnë ajrin dhe diellin gjithë banorëve.
9. Nuk do kishim shpenzuar 2,500 m2 dhe mbi 500,000 € për të sistemuar 42 familje informale me banesa, por do i kishim nxjerrë në rrugë, duke përdorur policinë e shtetit për këtë gjë siç e përdor Edi Rama ndaj informalëve tek Astiri dhe Bregu i Lumit.
10. Do kishim marrë 3 vite qira nga shteti “deri në përfundim të procesit të privatizimit” siç është detyrimi ligjor.
11. Nuk do të ishte kthyer veç 8% e pronës që familja Begeja kishte në pronësi para ardhjes ne pushtet te komunisteve, por do ishte kthyer 100% e saj.
Këto janë tipare të përdorimit të pushtetit, për interes të miqve të Ramës, që i shohim çdo ditë sot, por asnjë nga këto veprime nuk kanë ndodhur nga Sali Berisha por nga Edi Rama!
Prandaj, kam nderin t’ju rikujtoj se:
1. Procedimi penal nisi me kallzimin e Ballës se pronësina e tokës nuk ishte e pronarëve. SPAK për këtë nisi procedimin penal brenda ditës dhe këtë e shënon si dyshim kur vendosi të kërkojë masë arresti. Pronësia private është e qartë që nuk ka ndryshuar dhe janë të botuar ne Fletoret Zyrtare të 1942-1943, por SPAK shpenzoi muaj në Arkiv të Shtetit dhe biles harxhoi disa muaj letërkëmbime me Italinë dhe mori mbi 12,000 faqe krejt palidhje në përpjekje për të injoruar dokumentet zyrtare të botuara në fletoret zyrtare të kohës. Kallzimi i Ballës rezultoi kallzim i rremë por SPAK dhe Gjykatat refuzojnë të nisin procedim penal pasi disa janë mbi ligjin. Nga ana tjetër u vërtetua se është vjedhur tokë publike në Dhërmi, të cilën Edi Rama i dha edhe status investitor strategjik deputetes Xhacka por gjykata vendosi që as mos të hetohet Xhacka dhe jo më të arrestohet!
2. Masat u vendosën me pretendimin se Berisha ka miratuar ligje dhe VKM nominative POR në 4 vjet hetime nuk ia nisën GJK për vlerësim nëse ndonjë ishte nominative. Tani në akuzë pranojnë që asnjë ligj dhe asnjë VKM nuk ka qenë nominativ, por se ka përfituar edhe Malltezi nga këto ligje! Në fakt, Edi Rama ka nxjerre ligje të personalizuara si ligjin Fusha (konfirmuar nga GJK), apo 4 VKM të personalizuara që grabitën tokën (pjesërisht të familjes Begeja) që ishte caktuar për gjimnaz, vec për tia falur mikut të vet Carlo Bolino. Edi Rama ka nxjerrë VKM të personalizuar që i dhuron Klubit Partizani ku ka të vëllain drejtor, plot 37,200 m2 tokë dhe disa ndërtesa ndonëse ka pretendime pronësie dhe objekti ishte brenda planit të perhapjes së FA, por ka ligje të tjera për Edi Ramën dhe të tjera për Berishën dhe Malltezin.
3. U pretendua se Berisha kreu ndryshimin e destinacionit në 2006, por del se i kreu Rama si në 2004 (17,200 m2), si në 2006 (7,000 m2) dhe gjithë tjetrën e shpalli “zhvillime të reja me parametra të lartë urban” me vendimin KRRT nr. 238 dt. 27.12.2008. Ndërsa Berisha ka firmosur ex-officio në 2006 të gjitha ato 11 ndryshime destinacionesh që ia ka sjellë Edi Rama pasi që sipas Kartës së Autonomisë Vendore të Këshillit të Evropës, planifikimi dhe kontrolli i territorit janë tagra të pushtetit vendor. Edi Rama sot po shkel cdo ditë vendimin 29/2006 të GJK me lejet e zhvillimit që firmos për cdo objekt në cdo qytet të Shqipërisë, por duket se SPAK zbaton tjetër Kod Penal për Edi Ramën.
4. Në vendosjen e masave shkruajtën se po hetohet nëse toka ishte në Planin e Përhapjes së Forcave të Armatosura. Kjo ishte gënjeshtër pasi qysh në 2022 kishte pergjigje nga Shtabi i Forcave të Armatosura që nuk ka qenë kurrë. Edhe pak ditë para se të kërkonin masat vetë OPGJ e dërguar nga prokurorja shkruajti më 22.10.2023 se nuk ka qenë as në Planin e Përhapjes së vitit 2004. Thirrën mbi 30 ushtarakë në tentativë të rrëzojnë Dekretin e Presidentit me dëshmitarë. Urdhëruan arrest për mua ndonëse kjo nuk ka qenë kurrë në Planin e Përhapjes së FA, por SPAK bën “idiotin e dobishëm“ kur për tjetërsimin e Bazës Ushtarake Detare të Limionit (që gjykata thotë se rrezikon sigurinë kombetare) SPAK nuk ka kërkuar asnjë masë! SPAK nuk ka kërkuar asnjë masë as për tjetërsimin e bazave ushtarake detare të Porto Romanos dhe Shëngjinit përsëri se dalin Edi Rama, ministrja Olta Xhacka dhe presidenti Bajram Begaj!
5. Hetimi ka nisur ndaj personit dhe jo për ndonjë vepër penale. 3 vjet hetime kinse pa emër personi në hetim (01.12.2020 – 02.10.2023), por ka hetime qysh në 2021 në emër të Berishës dhe gjithë familjarëve të tij. Hetime për vepër penale apo gjueti shtrigash?
6. Pas urdhrit të Edi Ramës ndaj SPAK për ndëshkim penal ndaj Sali Berishës (fjala në Kongresin e PS më 09.04.2022), SPAK nisi breshëri 16 kërkesash në cdo institucion për të hetuar për 30 vjet Berishën dhe në 3 breza deri tek mbesat e tij qysh në 1995 kur ato ende nuk kishin lindur.
7. Malltezi u mbajt në arrest pa raport diligjence përmbi 3.5 muaj që është shkelje tjetër ligji. Diligjenca e fundit 2-mujore është e datës 27.06.2024 ndërsa akuzën e shpallën në Tetor 2024. Gjykata duhej të vepronte ex-officio për këtë shkelje ligji por dështoi të zbatojë ligjin. Gjithashtu SPAK vendosi zgjatje hetimesh edhe përtej afatit 1 vjecar pas rregjistrimit të emrit të personit nën hetim.
8. SPAK gënjeu-falsifikoi kur pretendoi se VKM (e vitit 2008) për përdorimin e bonove të privatizimit ishte shfuqizuar 7 muaj më pas (pra për pak familje pronare). Në fakt, ishte shfuqizuar vetëm pika që fliste për ankandet ndërsa pika për pronarët e tokës nuk kish ndryshuar. Ky mashtrim (i prokurores nga Elbasani së promovuar në SPAK në kohën kur Taulant Balla ishte drejtues politik i PS për Elbasanin) gjendet ende sot në akt-akuzë.
9. SPAK mashtron kur shkruan se të ardhurat e Malltezit nga zhvillimi i pronës së tij janë pjesë e Bashkësisë Ligjore pasi neni 77 i Kodit të Familjes shpjegon se të ardhurat nga trashëgimia dhe zhvillimi i saj janë pjesë e pasurisë vetjake.
10. Malltezi paraqiti kallzime penale për fallsifikim dokumentesh dhe fillim të paligjshëm të ndjekjes penale të dy prokurorëve, por kolegët e tyre në SPAK vendosin mosfillim procedimi penal. Kallzimi u paraqit në Prokurori të Tiranës, por përgjigja erdhi nga SPAK që vendosi mosfillim procedimi penal për kolegët. Rast unikal që kolegu të vendosë për kolegun dhe mos jetë zyrë tjetër prokurorie të hetojë që të shmanget konflikti i interesit.
11. Prokurorët kryen shkelje të të drejtave kushtetuese për proces të rregullt ligjor duke sekuestruar përmbi një vit dosjen civile të shpifjes që padita Taulant Ballën. Kjo është në GJEDNJ e cila tashmë po i kërkon Shqipërisë të paguajë dëmshpërblim për këtë gjë.
12. Malltezi ka kërkuar procedim penal për kallzimin e rremë të Taulant Ballës por prokuroret e SPAK vendosën mosfillim të procedimit penal. Ligje të tjera për ministrat e PS.
13. Kam kërkuar fillim procedimi penal për Edi Ramën që ka rezultuar me vendim gjykate të formës së prerë që ka shpërdoruar detyrën, ka sjellë dëm financiar mbi 340,000 euro, dhe ka refuzuar zbatimin e vendimit të formës së prerë të gjykatës. Por për prokurorët duket se ka Kod Penal tjetër kur shihet se dëmin ekonomik e ka shkaktuar Edi Rama.
14. Malltezi ka masë të pabazuar në ligj për moskomunikim me askënd përvec familjarëve në të njëjtën banesë ndaj nuk ka vajtur në seancat për shqyrtimin paraprak, duke shkruajtur në njoftimet nga gjyqtarja se ka vendim gjykate në fuqi që ndalon komunikimin me këdo tjetër. Masa për moskomunikim me askënd tjetër nuk parashikohet në Kodin Penal, dhe biles këtë masë nuk e kanë as personat e burgosur, por ka ligje të tjera për armiqtë e PS.
15. Prokurorët sajuan ekspertiza nga persona të papranueshëm si ekspertë të pavarur përfshi babai i hetuesit të BKH dhe militantit të PS (Zyba), që rezultoi krejtësisht e rreme.
16. Në mungesë të fakteve dhe provave, prokurorët pretendojnë si përfitim personal të Berishës pagesa që unë kam kryer për trajtimin e fëmijëve autikë! Bamirësia që unë kryej me paratë e mia për njerëz në nevojë merret si përfitim i Berishës?!
17. SPAK pretendon si përfitim personal dhe elektoral të Berishës edhe sponsorizimin me 4,600 euro që u bë (për llogari të Ministrisë së Kulturës) në 2013 për shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit të dy këngetarëve që u paguan nga kompania jonë private për të nderuar këngëtaren shqiptare dhe që as nuk u shpenzuan para publike. Nga ana tjetër, vec dy ditë para zgjedhjeve të 11 Majit 2025 Edi Rama vendosi me vendim personal të japë 7 miljon euro nga paratë publike për të organizuar “Giro d’Italia” në Shqipëri duke bllokuar gjithë trafikun dhe aktivitetet e opozitës dhe SPAK nuk ekziston për këtë gjë.
18. Nuk ka asnje lek dëm në financat e shtetit, përkundrazi, shteti përfitoi rreth 800,000 $ nga ndërprerja e gjendjes së paligjshmerisë që mbretëronte prej vitesh. Për këtë që nuk ka fare para publike urdhërohet arrest, ndërsa për 30 miljon euro para publike dëm (skema 5D), drejtorët u dënuan me punë në komunitet. Këto janë standardet e drejtësisë me rregji.
19. Malltezi vijon prej thuajse 20 muajsh në arrest ndonëse pretendimet rezultuan të rreme. Ka me dhjetëra shkelje ligjore në këtë farsë dhe asnjë nuk ka ndodhur rastësisht.
Kjo farsë u nis me urdhra politikë dhe nuk ka as fakt penal e as çështje publike por veç kthim të sendit të vjedhur dhe zhvillim të pronës private. Të tre zhvilluesit e pronës së të parëve tanë jemi krenarë që i kthyem dinjitetin atyre duke (i) respektuar pronarët e ligjshëm, (ii) zgjidhur hallin e strehimit të 42 familjeve informale, (iii) duke i dhuruar komunitetit kopshtin dhe çerdhen më të mirë në qytet, (iv) zhvilluar zonën me shumë dashuri jo me qiellgërvishtës por (v) duke marre arkitekt dinjitoz qe krijoi komunitet të qëndrueshëm, (vi) krijuar me parkun urban më të madh në Tiranë, (vii) me dhjetëra vende çlodhëse dhe vepra arti dhe (viii) paguar miljona euro taksa.
Ndonëse kreu i SPAK deklaron se “afërmendsh gjykatat vendosin çfarë kërkojmë ne”, ju ftoj të tregoni integritet dhe mos nënshtroheni ndaj politikës apo prokurorëve të nënshtruar politikisht.
Ju uroj punë të mbarë,
Prof. Dr. Jamarbër Malltezi
https://www.facebook.com/share/p/1FYtgassdJ/?mibextid=wwXIfr
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/