SPECIALE/ Përfundon gjykimi i Ylli Didanit në SHBA, grosist i kokainës nga...

SPECIALE/ Përfundon gjykimi i Ylli Didanit në SHBA, grosist i kokainës nga Ekuadori. Si nisi zbulimi i tij nga një telefon që iu mor në aeroport në 2015

87
0
Shares

Shtetasi shqiptar Ylli Didani shpallet fajtor në SHBA për drejtimin e një rrjeti gjigant ndërkombëtar të trafikut të drogës.

Shtetasi shqiptar Ylli Didani, 43 vjeç, është shpallur fajtor nga Gjykata Federale në Detroit për drejtimin e një prej rrjeteve më të mëdha dhe më të sofistikuara ndërkombëtare të trafikut të drogës, me lidhje në të paktën 14 shtete dhe me bazë operacionale në zonën e Detroit-it.

Sipas Departamentit Amerikan të Drejtësisë, gjatë viteve 2019 dhe 2020, autoritetet sekuestruan mbi 3,400 kilogramë kokainë (rreth 7,500 paund), që organizata e Didanit kishte ngarkuar në pesë anije të ndryshme me destinacione ndërkombëtare. Vlera në treg e kësaj sasie kokainë kap shifrën e mbi 100 milionë dollarëve.

Hetimet kanë zbuluar se organizata e Didanit ka qenë aktive që prej janarit të vitit 2015, me lidhje të dokumentuara me Shtetet e Bashkuara, Kolumbinë, Ekuadorin, Meksikën, Kanadanë, Kilin, Shqipërinë, Turqinë, Brazilin, Gjermaninë, Republikën Dominikane, Emiratet e Bashkuara Arabe, Belgjikën, Spanjën dhe Holandën.

Dron nëndetar për trafik ndërkontinental

Sipas prokurorëve, Didani dhe bashkëpunëtorët e tij kishin planifikuar të përdornin një dron nëndetar të pajisur me modem nënujor dhe antenë GPS, që do të ngjitej në fundin e një anijeje tregtare dhe do të çlirohej afër brigjeve të Europës për të transportuar sasi të mëdha droge. Droga do të merrej më pas nga një varkë peshkimi e kontrolluar nga organizata e tij.

Hetim gjashtëvjeçar dhe prova tronditëse

Hetimi, që zgjati gjashtë vjet, nisi me ndalimin e Didanit në janar 2015 në aeroportin ndërkombëtar O’Hare në Çikago, ku gjatë një kontrolli të dytë, agjentët doganorë i sekuestruan iPhone-in. Brenda telefonit u gjetën fotografi me shuma të mëdha parash të mbështjella dhe me armë zjarri, ndonëse Didani, për shkak të një dënimi të mëparshëm për drejtim në gjendje të dehur, nuk kishte të drejtë të mbante armë në SHBA.

Ai deklaroi se ishte në SHBA për një vizitë njëmujore dhe do të kthehej për të vazhduar biznesin e tij të qymyrit në Shqipëri. Por në gusht 2016, u ndal sërish në të njëjtin aeroport, ku iu gjetën shtatë flakonë me hormon rritjeje njerëzore, që iu sekuestruan. Përsëri, telefoni i tij përmbante foto me shuma të mëdha kartëmonedhash, të datuara më 9 qershor 2016, dhe të vendndodhura në një apartament në Macomb County, që rezultoi të ishte marrë me qira nga një bashkëpunëtor (i referuar si CC-1).

Komunikime të koduara dhe pastrim parash

Autoritetet zbuluan në telefon një bisedë në aplikacionin Viber, që zgjati nga 5 korriku deri më 5 gusht 2016, mes Didanit dhe CC-1, ku flitej për telefona të padokumentuar (“burner phones”), para të pastra, dhe dërgime kesh përmes FedEx-it të fshehura brenda revistave. Një prej imazheve përmbante një çantë duffle të mbushur me pako të mëdha në formë drejtkëndore, të cilat autoritetet i identifikojnë si pako kokaine në sasi industriale.

Në të njëjtën bisedë përmendet një tjetër person, “Marty” (CC-2), i cili sipas gazetës Detroit News, është identifikuar si Marty Tibbitts, CEO i kompanisë Clementine Live Answering Service në Harper Woods. Sipas autoriteteve federale, CC-2 financonte një pjesë të madhe të aktivitetit të organizatës së Didanit, duke dhënë rreth 864,000 dollarë në formë çekësh të arkëtuar në dyqane floriri.

Ndërmjet qershorit dhe gushtit 2017, 1.8 milionë dollarë janë transferuar nga CC-2 drejt katër marrësve në Shqipëri, përfshirë vetë Didanin dhe vetë CC-2. Më 16 gusht 2017, Didani i dërgoi një paketë me “artikuj personalë dhe elektronikë” në shtëpinë e CC-2, dhe një ditë më pas, një tjetër pako me “letra dhe karta”.

Autoritetet besojnë se kjo është një metodë për të transportuar pajisje që mund të përmbajnë informacione sensitive, dhe pakoja e dytë përmbante fjalëkalimin për pajisjen, për të parandaluar zhbllokimin e saj në kufi nga agjentët.

Dënimet

Didani është shpallur fajtor për:

  • Komplot për shpërndarje ndërkombëtare të kokainës;
  • Komplot për shpërndarje droge në anije nën juridiksionin e SHBA;
  • Komplot për pastrim parash.

Ky rast po cilësohet nga autoritetet si një nga goditjet më të mëdha ndaj trafikut ndërkombëtar të drogës të drejtuar nga një shtetas shqiptar në SHBA, ndërsa përmasat e rrjetit dhe niveli i sofistikimit kanë tërhequr vëmendjen e institucioneve ligjzbatuese ndërkombëtare. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY