Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim për akuzat e ngritura nga SPAK, ka sulmuar ish-sekretarin e përgjithshëm të LSI-së dhe aktualisht nënkryetarin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Endrit Braimllari.
Sipas Metës, Braimllari është “shembulli më i gjallë i mënyrës se si SPAK-u konverton njerëz pa karakter në ‘rilindas’ të denjë – gënjeshtarë.”
“Vetëm një ‘rilindas’ mund të harrojë firmat që ka hedhur vetë dhe arsyet pse i ka hedhur. Një gënjeshtar ordiner, që përpiqet të fshihet pas harresës. Por e vërteta nuk fshihet as me lojëra fjalësh, as me konvertim teserash partie,” shkruan Meta.
Ai pretendon se firmat për kontratat e lobimit të LSI-së në SHBA, në periudhën 2018–2019, i përkasin pikërisht Braimllarit.
“Në atë kohë unë nuk isha kryetar i LSI-së, por President i Republikës. Për firmat e tij, unë qëndroj në izolim ekstrem, ndërsa Endriti gradohet dhe merr pozita të reja publike,” deklaron kreu i PL-së.
Meta lëshon gjithashtu një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj drejtuesit të SPAK-ut, Altin Dumani, duke e vënë në pikëpyetje besueshmërinë e shkresave zyrtare që ai ka firmosur:
“Apo mos ndoshta është Altin Dumani që gënjen në shkresën zyrtare të firmosur prej tij?”, shkruan ai.
Partia e Lirisë ka akuzuar prej kohësh organet e drejtësisë për përndjekje politike ndaj Metës dhe dy standarde në hetim. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/