Hetimet për skemat abuzive të mikrokredive përmes agjencive financiare në Tiranë kanë hyrë në një fazë të re, ku po hetohet edhe roli i institucioneve shtetërore që kanë pasur funksion mbikëqyrës. Burime pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK) bëjnë me dije se janë thirrur për deklarime ish-anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, konkretisht të përbërjes së vitit 2016.
Sot në mëngjes, para oficerëve të BKH-së ka dhënë deklarime Dhori Kule, ish anetar i Këshillit Mbikqyrës në 2016, i cili konfirmoi praninë e tij në SPAK:
“Isha në SPAK për funksionin tim në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Sqaruam ato problemet për mikrokreditë,” është shprehur ai pas daljes nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Në orën 13:00 pritet të paraqitet edhe anëtari tjetër i Këshillit Mbikëqyrës, Tonin Kola. Këta janë vetëm dy nga tetë ish-anëtarët që po thirren për të dhënë sqarime. Në total, ishin nëntë anëtarë të Këshillit në vitin 2016, por një prej tyre ka ndërruar jetë.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se SPAK po kërkon të kuptojë nëse ka pasur neglizhencë ose mosveprim institucional nga ana e Këshillit Mbikëqyrës në lidhje me funksionimin e agjencive të mikrokredisë, të cilat për vite me radhë kanë qenë subjekt i akuzave për shkelje të të drejtave të qytetarëve dhe për vendosje të interesave abuzive në mënyrë sistematike.
Hetimi është zgjeruar pas denoncimeve të shumta nga qytetarë, organizata të shoqërisë civile dhe raportimeve mediatike për praktika të dyshimta të konfiskimit të pasurive përmes procedurave të përshpejtuara nga agjencitë e mikrokredisë, shpesh me ndihmën e përmbaruesve privatë.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka pasur funksionin për të licencuar dhe mbikëqyrur veprimtarinë e institucioneve financiare jobankare në vend, përfshirë edhe agjencitë e mikrokredisë.r.k
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/