Në prag të ndeshjes së shumëpritur Shqipëri–Serbi, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026, Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar një listë të detajuar rregullash për të gjithë tifozët që do të jenë të pranishëm në stadiumin “Air Albania”.
FSHF bën me dije se hyrja në stadium do të lejohet vetëm për personat që posedojnë një biletë të vlefshme dhe një dokument identifikimi. Të gjithë tifozët do t’i nënshtrohen kontrolleve të imëta nga ana e stjuardëve, ndërsa kalimi i barrierave rrethuese do të ndalohet në mënyrë kategorike.
Në njoftimin zyrtar, Federata paralajmëron se do të ketë zero tolerancë ndaj çdo veprimi që përbën shkelje ligjore, përfshirë: mbajtjen e armëve të zjarrit apo të ftohta, përdorimin e biletave të falsifikuara, tentativën për të hyrë në fushën e lojës si dhe shfaqjen e pankartave që nxisin urrejtje ose dhunë.
FSHF thekson se stadiumi do të jetë nën mbikëqyrje të vazhdueshme përmes kamerave të sigurisë, dhe çdo shkelje do t’i referohet menjëherë autoriteteve ligjzbatuese.
Ndeshja e cila pritet të zhvillohet në një atmosferë të tensionuar ka vënë në lëvizje edhe autoritetet shtetërore, të cilat kanë ndërmarrë masa të shtuara sigurie, si brenda ashtu edhe jashtë stadiumit, për të garantuar mbarëvajtjen e sfidës.
FSHF u bën thirrje të gjithë tifozëve të respektojnë rregullat, të tregojnë qytetari dhe të mbështesin ekipin kombëtar në mënyrë të denjë dhe sportive. r.s
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/