Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për Jambellin dhe Lecin, u përfshinë në...

Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për Jambellin dhe Lecin, u përfshinë në vrasjen Artan Cukut

59
0
Shares

Artan Cuku

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm për Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin, të akuzuar për vrasjen e ish-drejtuesit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku. Sipas organit të akuzës, të dy personat përballen me akuzat për “Vrasje të punonjësit të policisë së shtetit” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria deklaron se Bledar Jambelli, një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe i kërkuar prej fillim viteve 2000, ishte arrestuar më parë në vitin 2012 për vrasjen e shtetasve Sh.M. dhe E.Sh. Hetimi i kësaj çështjeje ishte udhëhequr nga Artan Cuku, i cili në atë kohë drejtonte Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë. Megjithatë, Jambelli u shpall i pafajshëm dhe u lirua gjatë procesit gjyqësor.

Prokuroria thotë se pikërisht për këtë arsye, në vitin 2017, Jambelli organizoi vrasjen e Cukut si akt hakmarrjeje. Ai bashkëpunoi me Kristaq Lecin dhe Mikel Shallarin, këtij të fundit i premtoi një pagesë prej 20 mijë eurosh dhe ndihmë për të emigruar në Gjermani pas kryerjes së krimit.

Sipas dosjes hetimore, Kristaq Leci i siguroi Shallarit dy armë zjarri, njëra e tipit Zastava dhe tjetra Glock me silenciator, ndërsa vetë ndoqi lëvizjet e viktimës për ta mbajtur nën vëzhgim. Shallari e qëlloi Cukun me të paktën tetë plumba, duke e lënë të vdekur në vend. Pas arrestimit, ai pranoi autorësinë e ngjarjes, bashkëpunoi me drejtësinë dhe kërkoi falje publike familjes së viktimës. Si rezultat, u dënua me 10 vite burg.

Hetimet konfirmuan se vrasja ishte e paramenduar, e shtyrë nga motive hakmarrjeje dhe përfitimi financiar. Për këtë arsye, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm ka kërkuar deklarimin fajtor të Bledar Jambellit dhe Kristaq Lecit, si dhe dënimin e tyre me burgim të përjetshëm.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY