Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 36-vjeçar në Fllakë të Durrësit. Sherri erdhi pasi personi që mori plumba i kishte rrahur babain autorit.
Ndërkaq në makinën që drejtohej nga i plagosuri ndodheshin edhe 2 të mitur kur ai u qëllua nga plumbat.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes.
“U bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit K. K., 30 vjeç, banues në Kavajë dhe vijon puna për kapjen e tij.
Nga hetimet paraprake rezulton se rreth orës 19:30, të datës 30.05.2025, në vendin e quajtur “Fllakë e Egër”, shtetasi K. K., duke lëvizur me automjetin tip “Ford Focus”, ka qëlluar me armë zjarri të dyshuar pistoletë, gjatë një parakalimi, drejt automjetit tip “Lancia”, në të cilin ndodhej shtetasi A. G., 36 vjeç, banues në Durrës. Si pasojë, shtetasi A. G. mbeti i plagosur, ndërsa dy të miturit 14 e 15-vjeç që udhëtonin me të nuk kanë pësuar lëndime.
Nga hetimet ka rezultuar se disa ditë më parë, shtetasi A. G., ka ushtruar dhunë fizike ndaj babait të shtetasit K. K., i cili ka pësuar dëmtime fizike jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi policia e Durrësit. a.b
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/