Në një dëshmi të gjatë dhe të detajuar në GJKKO, Erion Alibej, tashmë bashkëpunëtor i drejtësisë, ka rrëfyer për herë të parë lidhjet e tij dhe të të njohurve të tij me trafikantë të njohur droge nga Elbasani dhe më gjerë. Ai përmendi me emra individë si Suel Çela, Hajdar Çopja, Franc Çopja dhe Arjan Spahiu, duke zbuluar mënyrën se si funksiononin rrjetet e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe konfliktet e dhunshme që lindnin mes tyre.
Sipas Alibejt, një nga figurat qendrore në aktivitetin kriminal ishte Endrit Alibej, për të cilin ai tha:
“Endriti kishte shumë lidhje edhe në shtetin hollandez. Të gjithë donin të punonin me të.”
Ky ndikim i madh i Endritit në rrjetet e trafikut duket se shtrihej edhe përtej Holandës. Sipas dëshmisë, aktivitetet kriminale ishin të shtrira edhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Alibej tregoi për lidhjet e hershme me disa nga personazhet më të përfolur në Elbasan. Ai deklaroi:
“Kam pasur shoqëri me Suel Çelën, Hajdar Çopjen e njihja familjarisht. Elbasani është i vogël, njihemi që fëmijë.”
Në rrëfimin e tij, Alibej theksoi se nuk kishin konflikte me të tjerët, përveç rasteve kur të tjerët i kishin borxh.
“Ne s’kemi pasur probleme me askënd, as i kemi hyrë në hak dikujt. Vetëm na kanë pasur borxh.”
Por marrëdhëniet me Suel Çelën ishin prishur për shkak të përplasjeve që kishin të bënin me trafikantë të tjerë si Arjan Spahiu dhe përplasjet për borxhe.
“Kishim kohë pa folur e pa u takuar me Suel Çelën, për shkak të një hatërmbetjeje për çështjen e Arjan Spahiut dhe trafikut të drogës.”
Sipas Alibejt, Suel Çela kishte nisur që herët aktivitetin kriminal në Itali dhe aty kishte pasur përplasje të forta me Hajdar Çopjen.
“Sueli e kishte nisur herët trafikun në Itali, ku edhe u arrestua. Aty i vodhi Hajdar Çopjes 2 kg kokainë.”
Alibej pranon se ka ndihmuar Suelin në një moment delikat, kur ky ndodhej në arrest shtëpie.
“E ndihmova Suelin pas arrestimit… Sueli i kishte borxh Arjanit për gjysmë kile kokainë. Hyra unë garant për këtë gjë që të mos kishin probleme.”
Rrëfimi i Alibejt nuk ndalet vetëm në marrëdhëniet me personazhe të njohur, por shkon më thellë te skemat e trafikut ndërkombëtar. Ai rrëfen sesi vendosi të largohej drejt Anglisë për të punuar, për të ndihmuar Endritin që të shlyente borxhet.
“Këmbëngula të ikja në Angli për të punuar… Fillimisht qëndrova te xhaxhai, Arben Dylgjeri… më vonë hasa vështirësi për banesë.”
Në Angli, sipas tij, struktura e trafikut të drogës ishte e mirëorganizuar dhe kishte përfshirë shumë shqiptarë.
“Punova me shumë shqiptarë atje. I pari që bashkëpunova ishte një Ylli nga Rrogozhina dhe Klodi nga Durrësi.”
Një tjetër emër që përmendet shpesh në dëshmi është Franc Çopja. Alibej tregon se kishte banuar në Tottenham ku Franci kontrollonte punën nga distanca.
“Shkova edhe te shtëpia e Franc Çopjes që rrinte në Tottenham. E kontrollonte punën me telefon.”
Ai sqaroi gjithashtu një nga akuzat kryesore që flitej në qarqet kriminale — se përplasja kishte nisur për një ngarkesë prej 50 kg droge.
“Dua të sqaroj se është e pavërtetë që lufta nisi për një ngarkesë prej 50 kg droge.”
Sipas tij, Ilir Lloshi, një tjetër emër i përfshirë, ishte viktimë e dhunës së njerëzve të Francit, pasi një dërgesë e tyre ishte kapur.
“Më tregoi se kishte ardhur një ngarkesë prej mbi 50 kg kokainë për Francin, por ishte grabitur. Policia kishte ndërhyrë në banesën ku mbahej.”
Alibej nuk la pa përmendur edhe përplasjet që kishin ndodhur në Elbasan, ku sipas tij, Suel Çela ishte përfshirë në akte të dhunshme.
“Në qytet filluan intrigat. Thoshin se Sueli kishte shtyrë dikë që të plagoste dajën tim.”
Ai përshkroi një përballje të drejtpërdrejtë me Suel Çelën dhe Sokol Sanxhaktarin në lokalin e dajës së tij:
“Kaluan me një Range Rover… Sueli hapi xhamin dhe i tha Endritit: ‘Hajde pak tek tregu’. I thashë: ‘S’ke turp që drejton gishtin?’”
Përplasja vazhdoi edhe në shtëpinë e Suelit, ku u diskutua për një ngarkesë të humbur, dhe u hodhën akuza mbi Endritin:
“Sueli i tha Endritit: ‘Na e kanë bërë disa rumunë që janë të Hajdar Çopjes’. Endriti qeshi ironikisht dhe tha: ‘S’kam lidhje me këtë gjë.’”
Në fund, Alibej rrëfeu edhe një takim emocional me nënën e Suelit, Hanën:
“Shkova dhe takova nënën e Suelit. U përlot dhe më përqafoi. Nuk kisha shkuar te shtëpia kur Sueli ishte në burg në Itali.”
Ky rrëfim shënon dëshminë e parë të Erion Alibejt në procesin që pritet të zbardhë një nga sagat më të errëta të krimit të organizuar në Elbasan dhe më gjerë. Organi i akuzës e konsideron Alibejn një dëshmitar kyç për të ndërtuar akuzat ndaj disa prej figurave më të njohura të botës së krimit shqiptar, si brenda vendit ashtu edhe në emigracion.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/