Në vijim të rrëfimit të tij në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), i penduari i drejtësisë, Erion Alibej, ka zbuluar detaje të tjera tronditëse nga jeta e tij në ilegalitet, përplasjet me emra të botës së krimit dhe episodet që paraprinë ngjarjen tragjike të 29 dhjetorit 2018, ku humbi jetën vëllai i tij, Endrit Alibej, së bashku me dy persona të tjerë.
Në dëshminë e tij, Alibej tregon se pas qëndrimit në Angli deri në fillim të vitit 2018, ishte kthyer përfundimisht në Shqipëri:
“Në Angli qëndrova deri në fillim të 2018-ës. U ktheva përfundimisht në Shqipëri. Kisha një Audi gri që ia lija edhe të afërmve. Më thoshin që me këtë makinë na ndjekin. Një herë, kur po dilja me familjen, vura re që më ndiqte Xhoni Rusta. Ne e kishim mbyllur këtë histori. Një ditë shkova te lagjja 5 Maj, më ndiqte një Audi e bardhë, ishin katër veta. Kishin qëllim të më provokonin. Më parakaluan dhe erdhën shumë afër makinës sime. Unë e qëllova nga pas dhe e plagosa njërin. Nuk e kisha me faj. U shpalla në kërkim, isha në kërkim edhe kur ndodhi ngjarja e 29 dhjetorit.”
“Lëvizja i lirshëm edhe pse isha në kërkim”
Alibej rrëfen se për festat e fundvitit kishte organizuar darka dhe vizita te të afërmit në zonën e Peqinit, ku pavarësisht statusit të tij si person në kërkim, lëvizte i lirshëm falë një radioje që e ndihmonte të dëgjonte komunikimet e policisë:
“Endriti erdhi më 17 dhjetor 2018, kishim sebep. Shkonim shpesh në Peqin për festa dhe lokalet në zonë. Çdo fundvit unë mblidhja miqtë e afërt ose u çoja pula apo gjela deti. Edhe pse isha në kërkim, lëvizja i lirshëm. Një djalë nga Shkodra më dha një radio që ishte në kanalin e policisë. Radioja u sigurua nga Genc Tafili. Lëvizja i lirshëm pasi do e dëgjoja nëse do përmendej targa ime në radio.”
Dita e masakrës
Mbrëmjen e ngjarjes tragjike, sipas dëshmisë së tij, Erion Alibej kishte shkuar të dorëzonte dhurata te një mik noter, kur kishte marrë lajmin për atentatin ndaj vëllait të tij.
“Endriti atë natë ishte në Tiranë me disa miq, pastaj u nis për Peqin te dajat e mi. Teksa po çoja disa dhurata për fundvit te një mik noter, ra telefoni i Besmir Lales. E mora dhe dëgjova që ishte nusja ime. Unë nuk mbaja telefon, isha në kërkim. I thashë: ‘Çfarë ka?’ Aty erdhi një X6 e bardhë, që e dija se ishte e Mikael Qosjes, dhuratë nga Franc Çopja. E di që e kanë ndërruar në kokainë. Besmiri më tha: ‘Sho, e kanë qëlluar Endritin.’ Mikaeli ishte me Ervis Çopjan në makinë. Më tha: ‘S’kam armë, pse çfarë ka ndodhur?’ Mbylla xhamin dhe shkova në vendngjarje.”
Ai tregon se skena që gjeti ishte tronditëse dhe se ende nuk e beson se kush ishin autorët:
“Isha i pari në vendngjarje. S’kishte njeri, as polici. Aty rri gjithmonë një patrullë policie. Edhe tani po të kalosh ka. Gjeta nënën, tezen, motrën dhe fëmijët që ulërinin. Ishte një skenë që nuk e përshkruaj dot. Kapa Endritin, mu duk i ngrohtë por kishte shumë plumba në një anë. Erdhi furgoni i policisë dhe ambulanca, por ndërroi jetë në spital.”
“Vetëm Suel Çela bën këto masakra”
Pas ngjarjes, Alibej thotë se e vizituan shumë njerëz, përfshirë edhe persona nga familja Çapja. Dyshimet për atentatin nisën menjëherë të qarkullonin.
“Sapo shkova në shtëpi, po vinin shumë njerëz, miq e shokë. Shumë shpejt më erdhën njerëz të familjes Çapja, Florenci dhe disa të tjerë. Dola veç dhe i dëgjova me Bledar Muçen e Florenc Çapjan. Bledari më tha: ‘I pata thënë Endritit të bënte kujdes, por s’më dëgjoi.’ I thashë: ‘Nga kush?’ M’u përgjigj: ‘Vetëm Suel Çela bën këto masakra.’”
“Më vinin informacione pa fund. Jo e kishte bërë Kamer Mehja, jo Suel Çela, sidomos për Suelin. Më përmendnin edhe Çopjat. Madje Sokol Sanxhaktari më tha që atentatin e kishin bërë Talo Çela dhe Dari për Hajdar Çopjan. Në ato ditë kur as nuk i kishim varrosur ende familjarët, Franc Çopja e Hajdar Çopja qëndronin poshtë shtëpisë dhe të gjitha bisedat i lidhnin me Suel Çelën. Madje ata kanë qarë në varrimin e vëllait tim.”
Takimi me policinë dhe dyshimet për manipulime
Alibej rrëfen se pak ditë pas ngjarjes u kontaktua nga policia, pavarësisht se ishte ende në kërkim:
“Kur dërgova familjarët në banesën e fundit, më vijnë policët. Donin të flisnin me mua. Niko Brahimaj ishte te Krimet e Rënda, më tha: ‘Hajde të deklarosh dhe do të lirojmë, të jesh afër familjes.’ Shkova, aty ishte Altin Qato, Brahimaj dhe shefi i komisariatit që e dija se ishte i shitur te Suel Çela. I thashë: ‘Nuk e dua këtë këtu’, dhe e nxorën jashtë. Më thanë: ‘Na ndihmo me ndonjë informacion për kë dyshon.’ U thashë: ‘Mos kanë ngatërruar objektiv?’ Sipas marrëveshjes që më dhanë, më liruan që të dërgoja familjarët në banesë.”
“Një nga qëlluesit ishte ushtari i Suelit”
Në dëshminë e tij, Alibej tregon për një bisedë të mëvonshme me Suel Çelën, ku e konfronton lidhur me dyshimet për atentatin:
“I thashë Suelit që një nga qëlluesit është ushtari yt, një shkodran që i thonë ‘Naço’. Sueli i shkroi direkt atij. Më vonë i thashë: ‘Po me avokatin Raviku, çfarë patët?’ M’u përgjigj: ‘Ai i futi hundët shumë te “maçi”.’ Kam folur shumë me Suelin dhe më garantoi se janë Çopjat pas asaj që më ndodhi.”
“Kisha akses në TIMS përmes një punonjësi policie”
Në fund të dëshmisë, Alibej pohon se kishte ndërtuar një rrjet informacioni përmes lidhjeve të tij në polici:
“Mora informacion nga Ardian Çollaku që sot është i ndjerë. U lidha edhe me një punonjës policie. I dhashë një ‘Sky ECC’, kisha akses në TIMS përmes tij. Kërkoja informacion për emra dhe ai ma çonte me foto e të dhëna. Emrin s’po e them se është në hetim.”
(Prokurori ndërhyn: “S’ka nevojë, se s’është objekt i këtij gjykimi.”)
Alibej përmend edhe pista të tjera hetimore që, sipas tij, ishin duke u ndjekur, por që u ndërprenë për arsye të paqarta:
“Nga ky person mora vesh se nga hetimet kishte dalë një motor që ndiqte Range Roverin. Mora vesh që Altin Qato ishte drejt zbardhjes së ngjarjes, por nuk e lanë dhe e larguan nga aty. Më pas erdhi Arjan Muça drejtor.”
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/