Dëshmia e Alibej në GJKKO: “Kam përdorur Sky ECC, për Talo Çelën jepja 100 mijë euro për ta vrarë”

Shares

Në një seancë dëgjimore të zhvilluar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), Ervis Alibej, i njohur me nofkën “Krymi”, dha dëshminë e tij lidhur me njohjet dhe aktivitetin e tij të kaluar, përfshirë raportet me Nuredin Dumanin dhe implikimet në ngjarje kriminale të bujshme.

“Betohem që do të them të vërtetën. Kam arsim të lartë. Kam qenë i dënuar në Itali, ndërsa në Shqipëri, sipas dëshmisë së penalitetit, rezultoj i pastër”, – deklaroi ai në fillim të dëshmisë.

Duke iu referuar një atentati të ndodhur më 29 dhjetor 2018, Alibej u shpreh:

“Ne si familje e quajmë si një atentat kamikaz…” – por në këtë moment ndërhyjnë avokatët e të pandehurve të tjerë dhe dëshmia ndërpritet për pak çaste.

Në vijim, ai deklaroi:

“Me Nuredin Dumanin jam njohur pasi u lirova nga paraburgimi i Elbasanit, në fillim të vitit 2020. Arjan Spahiu kishte kontakt me të nëpërmjet një ‘fati’. Kam qenë përdorues i Enkro Chat dhe Sky ECC. Arjani më tha se Nuredini kishte kërkuar vetë të takohej me mua, sepse kishin dëgjuar që unë kisha përhapur fjalë në rrugë apo në shoqëri, që për Talo Çelën jepja 100 mijë euro për ta vrarë dhe 200 mijë euro kush ma sillte të gjallë. Kjo gjë i kishte shkuar në vesh Dumanit.”

Më tej, Alibej tregoi se kishte mbledhur informacione për Dumanin dhe kishte organizuar një takim me të:

“Erdhi në një apartament me qira që kisha marrë për djemtë e dajës. Për dy orë e 48 minuta, regjistrova bisedën me të. Më tha që kishte dëgjuar që kërkoja Talo Çelën dhe më tha se për këtë ishin në dijeni edhe Festim Qoli. I thashë ‘ok’, dhe ai nisi të më shpjegonte kush ishin ekzekutorët e familjarëve të mi.”

Alibej pretendoi se kishte marrë detaje për mënyrën e atentatit:

“Unë i tregova itinerarin e makinës që ishte qëlluar nga të dyja anët. Më tha që kishte qenë edhe një Dorjan Shkoza, që kishte qenë me një makinë tjetër dhe kishte zbritur për të qëlluar nga ana tjetër. Nuredini kishte hall se Dorjani po e ndiqte atë dhe dashnoren për t’i ekzekutuar. Dumani më tha se kishte edhe vetë probleme me ata. I thashë se mua më intereson vetëm Talo Cela. Dija që financuesit dhe urdhëruesit ishin në Dubai, vëllezërit Copja, miq të vjetër të familjes sonë.”

Sipas dëshmisë, Dumani i ka rrëfyer lidhjet e tij me krimet:

“Më tha që Talo Çela kishte lidhje të ngushta me Festim Qolin. Për vrasjet, tha që merrte gjysmën e parave. E pashë që nuk kishte telefon të enkriptuar. I tregova Arjanit që Nuredini s’kishte Sky ECC dhe i dhashë një iPhone 6 që kishte të instaluar Sky ECC. Ia dhashë me 50 mijë euro dhe e mësova si përdorej.”

Në fund, Alibej foli për të kaluarën familjare dhe për përfshirjen e vëllait të tij në trafikun e drogës:

“Vij nga një familje ku babai na la të vegjël pasi vdiq. Jemi familje e respektuar në qytet. Ishte vëllai që emigroi fillimisht në Greqi e pastaj në Itali. Nga viti 2006 deri në 2018 është marrë me punë të paligjshme, trafik droge. Unë nuk jam përzier, u kujdesa për familjen sepse kisha nënën e sëmurë. Endriti është marrë vetëm me drogë. Në 2009 shkoi në Holandë. Vëllai im ishte 2 vite më i madh. Në vitin 2010 shkova në Itali për të marrë ilaçe për dy javë. Gjatë kësaj kohe, Endritin e kërkonte Italia. Ditën e fundit që do të kthehesha, më arrestoi policia dhe u dënova me 3 vite e 4 muaj sikur isha pjesëtar i grupit, megjithëse nuk kisha lidhje. Pasi u lirova në vitin 2012, Endriti ishte sërish në Holandë dhe më dërgoi një vajzë që më mori. Shkova në Rotterdam, e gjeta me Hajdar Çopen, një njohje e hershme. Më tha se Endriti donte ta ndihmonte se sapo kishte ardhur në Holandë, pa shtëpi.” a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...