Rama kërkon të zhvendosë debatin nga manipulimi zgjedhor: Rama paralajmëron ndryshime në qeveri dhe parti

Shares

Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka lëshuar sinjale të qarta për ndryshime të mundshme në strukturat drejtuese të qeverisë dhe vetë partisë, në një takim të zhvilluar me deputetët e rinj të dalë nga zgjedhjet e 11 majit dhe ish-deputetë të PS. Në një fjalim të gjatë, Rama theksoi nevojën për një fazë të re reformimi të brendshëm dhe përshtatjeje me sfidat e mandatit të katërt qeverisës.

“Kemi mësuar se për të arritur suksesin që kemi, nevojitet një punë e madhe me veten. Duhet të nisim nga vetja për të parë ndryshe disa gjëra dhe për të bërë ndryshe disa të tjera,” tha Rama, duke lënë të kuptohet se ndryshimet në drejtimin e PS dhe qeverisë janë të pashmangshme. Ai shtoi se kjo qasje do të shoqërohet me një bashkëpunim më të ngushtë me aleatët europianë, duke shfrytëzuar fuqinë e mandatit të katërt për të avancuar më tej.

Rama vlerësoi arritjet e PS gjatë kësaj dekade, përfshirë forcimin e drejtësisë, sigurisë dhe reputacionit ndërkombëtar të Shqipërisë. Ai theksoi se rezultati i 11 majit është fryt i punës së hershme dhe të organizuar, që ka nisur që në shtatorin e vitit të kaluar. “E nisëm shumë herët dhe punuam me seriozitet, si brenda vendit, ashtu edhe me votën e diasporës,” tha Rama.

Gjatë fjalimit të tij, Rama nuk la jashtë ironitë politike, duke thumbuar ashpër Aleancën për Shqipërinë Madhështore dhe sidomos figurën e Jozefina Topallit, e cila sipas tij “riktheu Doruntinën mbi samarin e një mushke të lodhur politike”. Ai e përshkroi retorikën e opozitës si dramatike dhe të pambështetur në realitet, duke shtuar me sarkazëm se “vdiq pluralizmi” ishte thirrja e tyre pas humbjes.

Sipas Ramës, Partia Socialiste i ka siguruar 82 mandate, një më pak se maksimumi që mund të ishte arritur nëse mandati i nëntë i Vlorës do të ishte fituar edhe me votat brenda vendit. “E ngjitëm PS në një nivel të ri me 856.813 vota, afro 88 mijë më shumë se në vitin 2021. Brenda vendit kemi humbur 35 mijë vota, por jashtë kemi katërfishuar mbështetjen,” sqaroi ai.

Rama theksoi se PS kaloi pragun e 50%, duke shkuar nga 48.7% në 53.2%, falë një organizimi më të mirë në terren dhe bashkëpunimit mes gjeneratave të deputetëve. “Eksperienca e atyre që janë dhe energjia e të rinjve e kanë bërë ndryshimin,” tha ai, duke falënderuar veçanërisht drejtuesit e qarqeve për angazhimin e tyre që nga shtatori.

Në fund, ai u ndal edhe te debati për listat e hapura dhe garën individuale, duke u thënë të gjithë kandidatëve socialistë se “ne ishim bashkë dhe morëm rezultate, ndërsa madhështorët ranë në gropë”. Ai konfirmoi se PS mbetet forca më e madhe politike në vend, e gatshme për një fazë të re reformash, reflektimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. m.k

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...