Ndahet nga jeta regjisori i shquar shqiptar, Piro Milkani

Ndahet nga jeta regjisori i shquar shqiptar, Piro Milkani

126
0
Shares

Regjisori i shquar shqiptar Piro Milkani është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare. Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur i biri, Eno Milkani, përmes një postimi prekës në rrjetet sociale: “Iku babai, shoku dhe kolegu im.”

Piro Milkani ishte një prej figurave më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare, me një kontribut të jashtëzakonshëm në artin e regjisurës. I lindur më 5 janar 1939 në Drenovë të Korçës, ai ishte ndër pionierët e kinemasë shqiptare, duke realizuar filma që lanë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e publikut.

Ndër veprat më të njohura të tij janë filmat “Ngadhnjim mbi vdekjen”, “Çifti i lumtur” dhe “Zonja nga qyteti”, të cilët janë bërë pjesë e identitetit kulturor të shqiptarëve.

Pas përfundimit të shkollës së mesme në qytetin e tij të lindjes, Milkani ndoqi studimet e larta në Akademinë e Arteve të Bukura në Pragë, Çekosllovaki, ku u diplomua si operator filmi. Gjatë viteve të studimeve, ai realizoi edhe filmin e diplomës “Nenavist” (Mosmirënjohja), që shënoi fillimin e karrierës së tij në kinematografi.

Pas kthimit në Shqipëri, ai nisi punën në Kinostudion “Shqipëria e Re”, fillimisht si operator dhe më pas si regjisor, duke realizuar mbi 20 filma artistikë që pasuruan fondin kinematografik shqiptar.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, Piro Milkani është vlerësuar me tituj dhe çmime të shumta, përfshirë titullin “Artist i Popullit” në vitin 1987 dhe medaljen “Ambasador i Filmit Shqiptar” nga Ministria e Kulturës.

Arkivi Qendror i Filmit, në një reagim publik, shprehu dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të regjisorit Milkani, duke e cilësuar humbjen e tij si “një plagë e madhe për kulturën shqiptare”. Në mesazhin e ngushëllimit theksohet: “Përveçse një regjisor i shkëlqyer, ai ishte edhe një edukator i përkushtuar, që formoi breza të tërë kineastësh. Një njeri i urtë, i dashur dhe i respektuar nga të gjithë ata që patën fatin ta njihnin. Piro ishte si një libër i hapur për historinë e Kinostudios.” m.k

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY