Gjykata e Posaçme kaloi sot për gjykim dosjen “Partizani” me të akuzuar kryetari i PD, Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Berisha akuzohet për korrupsion pasiv dhe është në fuqi masa e sigurisë “detyrim paraqitje”. Për Malltezin rëndojnë dy akuza për korrupsion pasiv dhe pastrim parash ndërsa ai vijon të mbetet në “arrest shtëpie”.
Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj tha për mediat se vendimet e marra nga gjyqtarja Irena Gjoka janë të pavlefshme.
“Të gjitha vendimet e marra prej Irena Gjokës janë të pavlefshme. Gjykata vendosi ta kalojë për gjykim çështjen. Gjykata sot vendosi ta kalojë për gjykim çështjen, ndërkohë që po kjo gjyqtare në po të njëjtat kushte në rastin e çështjes Dakos e ka kthyer pa kërkim të palës çështjen për plotësim hetimor, ndërsa në rastin konkret e çoi çështjen në gjyq. Dua të theksoj se kjo pavlefshmëri prej dy vitesh mban zotin Malltezi në “arrest shtëpiak”. Dhe zotin Berisha për aq kohë sa ishte në arrest shtëpia, si pasojë e kësaj vendimmarrje të paligjshme të kësaj gjyqtareje. Rama përmes agjencisë së tij, GJKKO-së, e realizoi edhe këtë fazë, për ta dërguar çështjen në gjyq. Së fundmi Gjykata e Lartë ka hapur një praktikë në kundërshtim me ligjin që thotë se seanca paraprake nuk mund ta pushoj çështjen. Ose ta çojë në gjyq ose ta kthejë mbrapsht pasi është Gjykata e Themelit ajo që jep vendim në lidhje me fajësinë ose jo. A thua se ne nuk e dinim këtë. Këto janë tentakulat, metastazat ligjore që kanë kapur Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuesen. Ne nuk kemi kërkuar gjykim e shkurtuar për dy arsye. E para sepse mungon fakti penal dhe nuk kemi çfarë të shkurtojmë apo zgjasim. Dhe e dyta në momentin kur konstatojmë akte të pavlefshme, gjykimi i shkurtuar automatikisht është i rrëzuar. Kjo gjykata këtë bëri, i vleftësoi ato akte, i dha vlerën dhe i çoi në gjyq”, tha Gjokutaj. r.p
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/