Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump foli sot për projektin e tij në ishullin e Sazanit, përmes një videomesazhi në Samitin Ekonomik Ndërkombëtar që po mbahet në Tiranë ndërsa premtoi se ka angazhuar inxhinierët më të mirë në Europë për programet e duhura për ruajtjen e mjedisit.
“Ajo që e bën këtë zonë kaq të veçantë është pikërisht natyra që ka. Prandaj kemi angazhuar një nga inxhinierët më të mirë në Europë për të na ndihmuar me programet e duhura të ruajtjes së mjedisit. Nëse nuk e respektojmë ambientin, zhvillimi që do të bëjmë atje nuk do të jetë i veçantë. Duhet të sigurohemi që e ruajmë realisht mjedisin. Ka madje një histori që thotë se po pengonim një deltë lumi, por ajo ishte shumë milje larg dhe nuk kishte lidhje me projektin tonë. Mendoj se kemi arritur të bindim njerëzit për këtë. Kur të publikojmë planet, do të shihet si kemi përqafuar ambientin lokal dhe jemi përpjekur të bëjmë diçka që ruan gjithçka. Por gjithçka ka të bëjë me vendndodhjen – 60 milje nga Italia, 60 milje nga Korfuz – dhe siç thashë, do të hapet një aeroport i ri shumë afër. Vetëm 10 minuta larg projektit. Bukuria natyrore është e jashtëzakonshme, vendndodhja është e mrekullueshme dhe jemi pikërisht në zemër të Mesdheut. Por, për shkak të historisë së keqe të vendit deri në vitet ’90, Shqipëria mbeti e pazhvilluar. Dhe nuk të jepet shpesh mundësia të ndërtosh diçka të re në Mesdhe, ku gjithçka është zhvilluar dhe mbirregulluar, ku asgjë nuk mund të ndërtohet më. Kështu që të gjitha këto po bashkohen, dhe mendoj se kjo ka shumë kuptim. Kemi investuar shumë kohë, përpjekje dhe kapital për ta çuar përpara këtë projekt dhe mendoj se do të arrijmë të bëjmë diçka spektakolare”, tha Kushner. m.k
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/