Çelen negociatat për një grup të ri kapitujsh, ende nuk është mbyllur asnjë kapitull

Shares

Në vijim të çeljes së kapitujve me Shqipërinë Komisioni Evropian njoftoi sot çeljen e grupit të tretë të kapitujve, bëri të ditur zyra e shtypit të qeverisë.

Ndërkohë ende nuk është mbyllur asnjë kapitull.

Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi dje qëndrimin e përbashkët të BE-së për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë mbi 8 kapituj të rinj të Grupimit të 3: Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse. Konferenca e Pestë Ndërqeveritare midis Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, do ta mbahet 22 Maj 2025, Bruksel.

Ky grupim përfshin tetë kapituj: Kapitulli 10 (Transformimi Digjital dhe Media), Kapitulli 16 (Tatimet), Kapitulli 17 (Politika Ekonomike dhe Monetare), Kapitulli 19 (Politika Sociale dhe Punësimi), Kapitulli 20 (Ndërmarrjet dhe Politika Industriale), Kapitulli 25 (Shkenca dhe Kërkimi), Kapitulli 26 (Arsimi dhe Kultura), Kapitulli 29 (Bashkimi Doganor). Përparimi në këto fusha është thelbësor për të garantuar stabilitetin fiskal të Shqipërisë, modernizimin industrial, rritjen e inovacionit, përmirësimin e kushteve të punës dhe pjesëmarrjen në iniciativat evropiane të kërkimit shkencor, arsimit dhe digjitalizimit.

Me këtë vendim janë hapur deri tani negociatat gjithsej për 27 fusha (kapituj dhe kritere) në vetëm tetë muaj, pas hapjes me sukses të Grupimit 1 (Themeloret) më 15 tetor 2024, Grupimit 6 (Marrëdhëniet me Jashtë) më 17 Dhjetor 2024, si dhe Grupimit 2 (Tregu i Brendshëm) më 14 Prill 2025.

“Përfundimi me sukses i këtyre negociatave pritet të sjellë përmirësime të prekshme në jetën e qytetarëve shqiptarë, si shërbime publike më të thjeshta dhe transparente, politika tatimore më të drejta të prirura për t’u bërë pjesë e tregut të vetëm të BE-së, mbrojtje më të forta për punëtorët dhe vende pune më të sigurta. Kjo krijon mundësi për bizneset shqiptare që të rriten dhe të përgatiten për të konkurruar për më shumë mundësi në tregjet evropiane, dhe në të njëjtën kohë të rrisë normat e rritjes së Shqipërisë duke e transformuar këtë rritje në më shumë mirëqenie dhe kushte më të mira jetese, ndërkohë që u jep të rinjve akses më të madh në arsimin, bursat, mundësitë e kërkimit dhe programet e trajnimit të BE-së”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e qeverisë. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...