Bota mban frymën ndërsa ndan dhimbjen për humbjen e një prej figurave më të dashura të kohës moderne: Papa Françesku, i lindur Jorge Mario Bergoglio, ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm, në moshën 88-vjeçare. Lajmi i hidhur u njoftua nga Kardinali Kevin Farrell, i cili përmes një deklarate solemne bëri të ditur se Papa Françesku “u kthye në shtëpinë e Atit” në orën 07:35, në rezidencën Casa Santa Marta në Vatikan, ku ndodhej pas një periudhe të rënduar shëndetësore.
“E gjithë jeta e tij iu kushtua shërbimit të Zotit dhe Kishës së Tij. Ai na mësoi të jetojmë me fisnikëri dhe me vlerat universale të ungjillit, në favor të më të varfërve”, – u shpreh kardinali Farrell, duke përmbyllur deklaratën me mirënjohje të thellë për këtë “dishepull të vërtetë të Zotit Jezus”.
Shenjat e përkeqësimit shëndetësor u bënë publike së fundmi, kur gjatë të Dielës së Pashkëve, Papa Françesku nuk mundi të lexonte personalisht mesazhin e urimit për besimtarët nga ballkoni i Bazilikës së Shën Pjetrit. Mesazhi u lexua nga një ndihmës, ndërsa Ati i Shenjtë u shfaq i dobët, por me vështrimin e tij të ngrohtë, që gjithnjë përcillte paqe.
Nga Buenos Aires në Vatikan: Një jetë në shërbim të Zotit dhe njerëzimit
I lindur më 17 dhjetor 1936 në Buenos Aires të Argjentinës, Françesku ishte i pari Papë nga Amerika Latine dhe i pari që vinte nga radhët e jezuitëve – një urdhër që historikisht i kishte qëndruar larg fronit papnor. Prindërit e tij kishin origjinë italiane, nga rajonet Piemonte dhe Liguria.
Rruga e tij drejt selisë së Shën Pjetrit nisi që në moshë të re, kur në vitin 1958 u bashkua me jezuitët. Para se të hynte në rrugën kishtare, ka punuar si pastrues, roje nate në një lokal, madje edhe kishte pasur një të fejuar – një jetë plot përvojë njerëzore që më pas e bëri Papa-n një udhëheqës më të afërt me popullin.
Ai kaloi nëpër pozita të larta në kishën argjentinase, duke u bërë Arqipeshkv i Buenos Aires dhe më pas kreu i Kishës Katolike në Argjentinë. U bë i njohur për përulësinë, jetesën modeste dhe përkushtimin e tij ndaj të varfërve dhe të përjashtuarve nga shoqëria.
Në 13 mars 2013, në një Konklavë historike, u zgjodh Papa i 266-të i Kishës Katolike, duke marrë emrin Françesku – një emër që nuk ishte përdorur prej më shumë se 11 shekujsh në historinë e Papatit. Ai shpjegoi se këtë emër e kishte zgjedhur në nder të Shën Françeskut të Asizit, mbrojtësit të të varfërve dhe i paqes, pas një porosie të thjeshtë nga një kardinal që i tha: “Mos harro të varfrit”.
Një Papë reformator – Fjala e tij depërtoi përtej mureve të Vatikanit
Gjatë papatit të tij, Papa Françesku ndërmori reforma të thella dhe shpeshherë të guximshme në brendësi të Selisë së Shenjtë. Ai rishikoi Kodin Penal të Vatikanit për ta përafruar me standardet ndërkombëtare, luftoi korrupsionin, denoncoi fuqishëm abuzimet seksuale dhe u përpoq të rigjente besimin e komunitetit katolik në institucionin e Kishës.
Ai ishte zëri i fuqishëm në mbrojtje të klimës, të drejtave të njeriut dhe paqes në botë. Thirrja e tij e fundit publike për një armëpushim në Gaza, si dhe dëshpërimi i tij për vuajtjet e civilëve në zonat e konfliktit, e bëjnë të qartë se zemra e tij rrahu deri në fund për ata që vuajnë.
Françesku udhëtoi në 66 vende të botës dhe zhvilloi 47 vizita apostolike. Udhëtimi i tij i parë në Evropë si Papë ishte në Shqipëri më 21 shtator 2014, ku dëgjoi historitë rrëqethëse të klerikëve të persekutuar nga regjimi komunist. Vizita e tij mbetet një nga momentet më të paharrueshme të historisë moderne të katolikëve shqiptarë.
Një zë i fortë për vlerat tradicionale dhe të drejtat njerëzore
I njohur për gjuhën e drejtëpërdrejtë, Papa Françesku e cilësoi ideologjinë “Gender” si “rrezikun më të shëmtuar të epokës sonë” dhe mbrojti vlerat tradicionale të familjes. Motoja e tij “Një Kishë e të varfërve për të varfrit” ishte udhërrëfyes i çdo vendimi, duke e bërë atë një udhëheqës që fliste jo vetëm për katolikët, por për gjithë njerëzimin.
Ai solli në qendër njeriun – me dinjitetin, dhimbjet, dhe shpresat e tij. Ishte Papa i fjalëve të thjeshta, i gjestit të përulur, por me një forcë shpirtërore të jashtëzakonshme.
Një trashëgimi e gjallë për brezat që vijnë
Papa Françesku nuk ishte thjesht një Papë. Ai ishte simboli i një Kishe që dëgjon, që përkul kokën për të parë më të dobtin, që hap dyert për të gjithë, pa përjashtim. Jeta e tij, e përshkuar nga përulësia dhe përkushtimi ndaj Zotit, mbetet një testament i gjallë i asaj çfarë duhet të jetë besimi në shekullin XXI.
Në orët në vijim pritet shpallja e zisë së madhe botërore dhe ceremonia e varrimit në Vatikan, ku miliona besimtarë nga e gjithë bota do të i japin lamtumirën Papës së përulësisë, Papës së paqes – Papa Françeskut.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/