Mark Samson, 23 vjeç, rrëfeu para trupit gjykues vrasjen brutale të ish-të dashurës së tij, 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula. Ai deklaroi se gjithçka ndodhi në një çast xhelozie, pas një mesazhi që e kuptoi si provë se ajo kishte nisur një lidhje të re. “I dërgova mëngjesin në shtrat kur ai mesazh erdhi në telefonin e saj. Dhe ajo më tha se po njihej me dikë tjetër. E humba mendjen. Në tabaka ishte edhe thika për të prerë bukën, e mora dhe e vrava. Ajo vdiq menjëherë, nuk u mbrojt.”
Krimi ndodhi në banesën modeste të Markut, në lagjen afrikane të Romës, ku ai jetonte me prindërit. Ilaria kishte shkuar aty më 25 mars për të kthyer disa rroba të mbetura dhe kishte vendosur të kalonte natën aty. Ajo nuk do të dilte më e gjallë nga ajo shtëpi.
Një krim i ftohtë dhe pastrimi i gjurmëve
Sipas dëshmisë së dhënë, pas vrasjes Marku nisi menjëherë një proces të ftohtë pastrimi: bleu detergjentë, mbështolli trupin me celofan, e futi në një valixhe dhe pastroi çdo njollë gjaku në dhomë. Trupin e hedhur më pas nga një shkëmb në Capranica, ai e kishte transportuar me makinë, duke tentuar të zhdukë çdo gjurmë.
Por hetuesit nuk janë të bindur nga versioni i dhënë. Autopsia tregon se Ilaria është vrarë nga tre goditje me thikë në qafë dhe se stomaku i saj ishte bosh, një detaj që sugjeron se vrasja ndodhi gjatë mbrëmjes – në kundërshtim me rrëfimin e autorit. Gjithashtu, fakti që gjaku ishte tharë dhe mungesa e gjurmëve në makinë, shtojnë dyshimet për një skenar të paramenduar.
Dyshime mbi bashkëpunimin e prindërve dhe manipulimi i realitetit pas vrasjes
Një tjetër aspekt shqetësues që po hetohet është roli i prindërve të Markut, të cilët ndodheshin në shtëpi në kohën e vrasjes. Ai ka refuzuar të përgjigjet për praninë e tyre dhe për ndihmën e mundshme që ata mund të kenë dhënë për fshehjen e trupit.
Ndërkohë, për disa ditë pas vrasjes, Mark përdori telefonin e Ilarisë për t’u dërguar mesazhe qetësuese familjarëve të saj dhe për të përditësuar profilin e saj në Instagram – një përpjekje për të mbajtur të fshehtë zhdukjen e saj dhe për të devijuar hetimet.
Një vrasje nga pasioni apo një akt i paramenduar?
Zëvendësprokurori Giuseppe Cascini dhe prokurorja Maria Perna kanë urdhëruar hetime të reja për të sqaruar nëse kemi të bëjmë me një vrasje të nxitur nga pasioni apo me një krim të menduar në detaj. Qartësia me të cilën Marku ka menaxhuar çdo hap pas vrasjes, që nga pastrimi e deri te manipulimi i realitetit, i jep peshë hipotezës së dytë.
Rasti ka tronditur opinionin publik në Itali dhe Shqipëri, duke hapur debat mbi dhunën në marrëdhënie, mungesën e sinjaleve parandaluese dhe rolin e institucioneve në mbrojtjen e të rinjve nga tragjedi të tilla.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/