Përgjimet e dyshuara nga SPAK, reagon Gjykata Kushtetuese

Shares

Disa media dhe gazetarë publikuan dje disa dokumenta përmes të cilave pretendohet se SPAK përgjoi disa gjyqtarë të Kushtetueses.

Bëhet fjalë për një periudhë kur Kushtetuesja do të merrte vendim në lidhje me ligjshmërinë e provave të mbledhura nga telefonat e kriptuar Sky Encrochat.

Në lidhje me këto lajme ka reguar Gjykata Kushtetuese, e cila thotë se ajo i merr vendimet me integritet dhe pa u ndikuar nga presionet.

DEKLARATA E GJYKATËS/ Gjykata Kushtetuese nisur nga debati mediatik i ditëve të fundit, për vënien nën përgjim nga Prokuroria e Posaçme të një gjyqtari kushtetues, që lidhet me ushtrimin e veprimtarisë së tij, konsideron me rëndësi që të sqarojë opinionin publik se në ushtrimin e misionit kushtetues për garantimin e epërsisë së Kushtetutës, ajo udhëhiqet nga parimet e kolegjialitetit, pavarësisë dhe paanësisë, të sanksionuara në ligjin themelor.

Gjykata është e vetëdijshme për ndikimin që ka veprimtaria dhe forca e autoritetit të saj ndaj aktorëve politikë dhe institucionalë, ndaj medias, palëve në proces, ashtu edhe ndaj opinionit publik. Për këto arsye, Gjykata ndjek rregullat e transparencës në vendimmarrje, me qëllim krijimin dhe ruajtjen e besimit publik ndaj saj.

Gjykata ka shprehur edhe më parë bindjen se ushtrimi i veprimtarisë në një klimë besimi nga kushdo i shërben forcimit të autoritetit të saj si organ kushtetues i pavarur, ndaj ka ngritur shqetësimin rreth keqinterpretimeve dhe përpjekjeve për ta përfshirë atë në debate të veshura nën petkun e diskurseve juridike për të paragjykuar vendimmarrje konkrete dhe për të ndërhyrë në pavarësinë e saj.

Pa dashur të bëhet pjesë e asnjë diskursi mediatik, Gjykata vlerëson të theksojë se procesi vendimmarrës në ushtrimin e funksionit për dhënien e drejtësisë kushtetuese bazohet në parimet dhe procedurat e parashikuara nga korniza kushtetuese dhe ligjore, duke qenë çdo vendimmarrje rezultat i një procesi diskutimesh të mendimeve dhe qëndrimeve të secilit gjyqtar kushtetues, sipas bindjes së tij të brendshme, për të cilat gëzon imunitet të garantuar nga Kushtetuta në ushtrim të funksionit të tij.

Gjykata, duke pranuar rëndësinë që ka në një shtet të së drejtës ushtrimi i kompetencave të çdo organi publik në respektim të kornizës kushtetuese dhe asaj ligjore, dëshiron të theksojë se ajo, sikundër ka vepruar deri më tani, do të vijojë të ushtrojë kompetencat e saj me korrektësi, integritet dhe e pavarur ndaj çdo ndikimi apo presioni të jashtëm.a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...