SHKODËR/ Zbardhen detaje të reja për vrasjen e 20-vjeçarit Pavlin Preka

Shares

Hetimet mbi vrasjen e 20-vjeçarit Pavlin Preka, i ekzekutuar një ditë më parë në fshatin Guci e Re, Shkodër, po vijojnë me intensitet, ndërsa policia ka shoqëruar deri tani rreth 20 persona. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se të shoqëruarit janë kryesisht banorë të zonës dhe fqinj të viktimës, të cilët janë marrë në pyetje nëse kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes apo për ndonjë informacion që mund të çojë në identifikimin e autorit.

Deri më tani, policia nuk ka ndonjë të dyshuar konkret për krimin. Familjarët e 20-vjeçarit kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për ndonjë konflikt që mund të ketë çuar në këtë ngjarje tragjike. Pavlin Preka u ekzekutua me gjashtë plumba në trup, duke u qëlluar me armë zjarri pistoletë. Gëzhojat e sekuestruara në vendin e ngjarjes ishin pranë njëra-tjetrës, çka forcon dyshimet se autori ka vepruar nga një distancë e afërt.

Trupi i pajetë i të riut u zbulua nga xhaxhai i tij, Nikollë Preka, i cili e kishte telefonuar disa herë për drekë. Pasi nuk kishte marrë përgjigje, ai kishte shkuar në banesën e nipit dhe e kishte gjetur të pajetë në oborrin e shtëpisë. Viktima jetonte i vetëm, ndërsa ushqimin e merrte te familja e xhaxhait që jetonte pranë.

Fqinjët kanë deklaruar se nuk kanë dëgjuar të shtëna armësh, çka ka ngritur dyshime se autori mund të ketë përdorur një pistoletë me silenciator. Ndërkohë, hetuesit po analizojnë çdo provë dhe po ndjekin disa pista për të zbardhur autorësinë dhe motivin e krimit. Policia dhe grupi hetimor vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të vrasjes. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...