Erion Veliaj, intervistë në televizion, sulm prokurorit. Heq paralele mes tij e Berishës kur ishte në arrest shtëpie

Shares

Kryetari i arrestuar i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ka dhënë një intervistë me shkrim këtë të enjte për emisionin Top Story me Grida Dumën vetëm pas dy javësh qëndrim në qeli. Në fakt ky televizion nuk ia dha mundësinë për intervistë Sali Berishës, nga arresti shtëpiak për 11 muaj. Veç kësaj nuk transmetoi asnjë ditë fjalimet e tij të përnatshme në edicionet e lajmeve. Po ashtu nuk ia ka dhënë këtë mundësi as Ilir Metës, marrëdhëniet me të cilin kanë qënë të mira edhe pse jo në nivelin komercial që ishin me Erion Veliaj.

Më poshtë është intervista e Veliaj e cila fund e krye është një pamflet kundër prokurorit, i cili sot në Shqipëri ka një profil emblematik dhe vështirë të cënohet sadopak nga qelia e paraburgimit të Durrësit. Edhe redaksia i bën pyetje Veliajt për shpenzimet e së shoqes ndërkohë që pyetja jashtë studios është sot pse gjithë ato para të bashkisë me firmën e tij përfundojnë tek e shoqja. Kjo pyetje do i jepte mundësinë të përballte akuzën dhe jo ti përdridhet akuzës siç ia kërkojnë pyetjet.

Pyetje: A ke pasur apo jo dijeni për shpenzimet e bashkëshortes tënde Ajola Xoxa? A e ke ditur që janë shpenzime personale apo të bizneseve të saj? A ke pasur dijeni për shifrat e këtyre shpenzimeve?

Erion Veliaj: Bashkëshortja ime vjen nga një familje e nderuar, e pasur dhe me 17 vjet karrierë në studio e biznes privat. Ka shpenzuar prej të ardhurave të saj vetëm 50,000 lekë në muaj nga karta e saj personale, në total 7 milion lekë të reja në rreth një dekadë.

Të mbledhësh gjithë bilancet vjetore të 7-8 enteve që merren me teatro, skenografi, videoklipe, opereta, mjuzikalë, sfilata mode, photo shooting, dhe garderobat skenike në 17 vite t’i trajtosh si personale në një ditë, është ligësi e misogjeni. Janë të gjitha të deklaruara nga secili ent, me taksa, dogana e tvsh në rreth dy dekada.

Pra, nuk kemi asgjë në një veting 20 vjeçar, të vetmin në Republikë, për të shoqin Erion Veliaj, dhe tani do i qepemi gruas, lodrave të djalit, makinës së vjehrrit të vdekur, vëllait, nënës – kujtdo, vetëm ta heqim nga fushata këtë që na mundi thellë në 2015, 2017, 2019, 2021, 2023 dhe (sapo të dal nga këtu) edhe në 2025, në një Tiranë më të pastër, më të bukur, më të vlerësuar ndërkombëtarisht, me 45 shkolla ultra moderne, plus 110 kopshte e çerdhe, Teatër të ri, Shesh të ri, Park të ri, Bulevard të ri, Unazë të re, Kala të re, Kopësht të ri Zoologjik, që Saliu-Luli-Olsi as kishin ide e kurajo t’i bënin!

Pyetje: Çfarë beteje është të godasësh drejtësinë, kur ju vetë, kur keni dalë nga SPAK, keni folur me konsiderata të larta për standardet e reja të drejtësisë dhe i keni konsideruar kolegë Prokurorët e SPAK? Nga njëra anë, ju dhe gjithë Partia Socialiste jeni investuar ta tregoni Reformën në Drejtësi si produkt të PS, pse i ul kredencialet e tua duke goditur drejtësinë?

Erion Veliaj: Unë nuk po godas drejtësinë! Në SPAK ka plot njerëz dinjitozë, me 10-ta, me meritë dhe me profesionalizëm, që i bëjnë nder kësaj reforme. Dhe po, kolegë janë, punojmë të gjithë për Republikën, për Shtetin, për vendin. Koleg është edhe pastruesi e polici, edhe kryeministri dhe Presidenti – se punojmë të gjithë për një mision, Shqipërinë në Europë e Tiranën si pjesën më Europiane të saj.

Por, nuk ka pyll pa derra dhe nëse na shitet si ajkë dikush me 5-a, që e çan karrierën nga shtrati e jo nga shteti, me konflikt të pastër interesi dhe në shkelje të kritereve, patjetër që do të flas.

Unë jam në burg, Grida, djalit s’i kemi thënë ende.

Jemi në situatë komplet të pabarabartë: Unë në burg, ku as takoj njeri, as informohem dot. Sot as krerët e kulteve, as deputetët, as dy senatorë italianë, as nënkryetarët e Bashkisë, as anëtarët e Këshillit Bashkiak, e askush tjetër nuk lejohet. Kurse Sali kërma i 21 Janarit e Gërdecit, që i kërkon falje Olsit, është i lirë. Edhe kur ishte në arrest shtëpie dhe nuk i lejohej takimi me asnjë person, përveç familjarëve, ai vazhdonte qetësisht të priste me kuç e me maç pa e ndaluar kush dhe në kundërshtim të urdhërimit të SPAK dhe të vendimit të Gjykatës.

Po kështu, nuk patën guximin, kur ishte në arrest shtëpie e paraqitej në gjykatë, ta shoqëronin me automjetin e Policisë së Shtetit, por lëvizte me makinën e tij private, serbes-serbes. Jo e njëjta gjë ndodhi me bashkëshorten time, pasi në respektim të ligjit u paraqit ditën e seancës e shoqëruar nga punonjësit e Policisë së Shtetit dhe me automjetin e tyre.

I jap gjithë mbështetjen Drejtësisë, por nëse e duam vërtet, duhet t’ia themi kur ka një masë tumorale në formën-gjuhën-dëftesën-hilen e Ols Dados, që trupi i shëndoshë të mos gangrenizohet nga kati shtesë i kollovarit pa letra në pisllëkun që e emëroi në 2008.

Pyetje: Si u ndjeve kur Edi Rama mblodhi gjithë stafin e Bashkisë së Tiranës në shesh, një organizim që ti vetë nuk do ta kishe bërë kurrë?

Erion Veliaj: U emocionova pa masë!

Kemi një bilanc të qartë. 7 fitore rresht në Bashkinë e Tiranës dhe nga mesjeta e kemi bërë Kryeqytet Europian të Rinisë në 2022, të Sportit në 2023, të Kulturës sot, Giro d’Italia e komuniteti politik Europian nesër.

Unë nuk e di a mund të ketë një vlerësim më të madh se sa ai që Kryeministri i vendit të kujdeset për vijimin e punëve të pasionit e dashurisë së madhe të jetës sime – Tiranës.

Pyetje: Ka akuza nga opozita që arkiva me dokumenta e Bashkisë së Tiranës po asgjësohen dhe po zhvendosen me kamionë? Si është e mundur lëvizja e dokumentave në atë mënyrë dhe a keni dijeni çfarë ka qenë zjarri në tarracën e Bashkisë?

Erion Veliaj: Ju falenderoj për humorin se edhe unë kam nevojë të buzëqesh pas 17 ditëve në izolim. Si të ta them thjesht?

Prej disa vitesh parkohet në lulishten para bashkisë një hermafrodit nga PD-ja, një si biçim gjys-burrë/gjys-grua, një si tip Ols Dado, por me flokë, njëfarë Kalaje e rrënuar nga hordhitë imagjinare, që kamionin i cili shkon çdo javë në Arkivën Qendrore e sheh si kuti votimi që varros PD-në ende pa nisur fushata, dhe që tymin e kaldajës së sapondezur e merr si tymi i Vatikanit, që i thotë “Habemus Papam” – dhe Edi Rama e PS-ja fituan mandatin e 4-t, ndërsa këneta me bufin do vazhdojnë edhe 4 vite zgërlaqje e zvarritje në llucë.

Ndjesë që s’të jap dot përgjigje serioze për Ols Kalanë – janë njësoj, dy personazhe tragji-komike, që kanë më shumë hall t’i pëlqejnë Saliut, se t’i ruajnë cipën fytyrës së tyre.

Ju përqafoj me mall aty në studio dhe mezi pres të jem aty sa më parë.

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...