Dy aksione policie në Vlorë, gjatë ndjekjes drejtoi pistoletën nga policia

Shares

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Drejtues Elidon Çela, lajmëroi sot në një konferencë për shtyp dy operacione policore: së pari, për kapjen e personave me rrezikshmëri të theksuar shoqërore që qarkullojnë me armë zjarri dhe së dyti, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, në kushte laboratorike me anë të llambave.

Mesditën e sotme u bë e mundur që në lagjen “Pavarsia”, pranë Lungomares, të kapej një person me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, i cili lëvizte i armatosur.

“Bazuar në informacionet e inteligjencës policore dhe pas një operacioni të mirëkoordinuar, shërbimet operacionale bënë të mundur lokalizimin, neutralizimin dhe kapjen e shtetasit E. S., 38 vjeç, person me precedentë penalë të theksuar, i arrestuar dhe i hetuar më parë nga autoritetet e huaja për vepra penale të rënda në fushën e krimeve kundër personit.

Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë, së bashku me një karikator me municion luftarak.

Shtetasi E. S., në momentin që pa shërbimet e Policisë, tentoi të largohej dhe iu ka drejtuar armën e zjarrit shërbimeve të Policisë, por s’ka mundur të qëllojë apo të largohet, pasi, falë profesionalizmit të forcave të Policisë, është bërë e mundur neutralizimi dhe arrestimi i tij.

Arma e zjarrit do t’i nënshtrohet ekspertizës balistike për të verifikuar nëse është përdorur në ngjarje kriminale të mëparshme.

Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje është proceduar në gjendje të lirë për moskallëzim krimi shtetasi M. Sh., 33 vjeç, i cili lëvizte bashkë me 38-vjeçarin, tashmë të arrestuar.

Po gjatë ditës së sotme, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në vijim të kontrolleve të pandërprera për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në terrene të hapura dhe ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore dhe bashkëpunimi me qytetarët, është finalizuar operacioni i dytë policor i koduar “Indoor”.

Në kuadër të këtij operacioni, strukturat e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve, zbuluan në lagjen “24 Maji”, në katin e parë të një objekti trekatësh, dy ambiente të përshtatura posaçërisht për kultivimin e bimëve narkotike.

Gjatë kontrollit të ushtruar brenda këtyre ambienteve të përshtatur për kultivim me anë të llambave, u gjetën dhe u sekuestruan rreth 780 bimë kanabis, ku 482 prej tyre ishin të mbjella në kubikë. Lartësia e bimëve narkotike të kultivuara arrinte në një lartësi 90 deri në 110 cm. Gjithashtu u sekuestruan 80 llamba të fuqishme ndriçimi, 8 aspiratorë për ajrosjen e ambientit, 80 transformator, medikamente, plehra kimike dhe pajisje të tjera të specializuara për rritjen e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.

Po gjatë operacionit, në këtë ambient u gjet dhe u arrestua në flagrancë shtetasi A. L., 24 vjeç, lindur në “Përlat”, Mirditë, dhe banues në Lezhë.

Ky shtetas dyshohet se kujdesej për bimët e kultivuara dhe siguronte kushtet e nevojshme për mirëmbajtjen e tyre.

Në vijim të veprimeve hetimore, është identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasi I. K., 24 vjeç, banues në Fier, i cili dyshohet se e kishte marrë këtë ambient me qira, Policia vijon kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Gjatë operacionit, në vijim të kontrollit të ushtruar në këtë objekt, në një banesë në katin e tretë, të marrë me qira nga shtetasi E. L., 35 vjeç banues në Vlorë, shërbimet gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike kanabis. Në vijim të veprimeve, poseduesi i lëndës narkotike u arrestua në flagrancë”, shpjegoi drejrori i policisë, Çela.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet intensive për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. a.b

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...