BE-ja thekson rëndësinë e pavarësisë së SPAK në hetime
Bashkimi Europian ka përsëritur qëndrimin e tij mbi rëndësinë e pavarësisë së SPAK në hetime, duke theksuar se kjo është një çështje kyçe për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Ky reagim vjen pas kërkesës së A2 CNN drejtuar Komisionit Europian, pas zhvillimeve të fundit dhe deklaratave të Kryeministrit Edi Rama pas arrestimit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Brukseli vlerëson se SPAK duhet të kryejë hetimet pa ndërhyrje politike apo presion të padrejtë, duke e cilësuar këtë si thelbësore për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Qëndrimi i Kryeministrit pas arrestimit të Veliajt ka tërhequr vëmendjen e zyrtarëve europianë, të cilët po ndjekin nga afër situatën.
Komisioni Europian nënvizon se reforma në drejtësi është një element kyç në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së dhe nuk mund të ndryshohet sipas interesave politike. Për këtë arsye, Brukseli e konsideron të pandryshueshme strukturën e reformës, duke e lidhur ngushtë me procesin e integrimit.
Sa i përket hetimeve ndaj Veliajt, BE-ja nuk komenton mbi çështjet gjyqësore në proces, por thekson se po i ndjek zhvillimet nga afër. Po ashtu, BE-ja riafirmon angazhimin për të ndihmuar Shqipërinë në forcimin e institucioneve të drejtësisë, duke kërkuar rritje të efikasitetit, pavarësisë dhe llogaridhënies. m.k
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/