Genc Pollo: Vite më parë PD u akuzua si antievropiane dhe antiamerikane, por më vonë akuzat u shuan

Shares
genc pollo

Ish ministër e zv/kryeministër i qeverive të PD, n/kryetar i PD por edhe Sekretar i Përgjithshëm i saj, Genc Pollo thotë në një intervistë me gazetaren Valentina Madani për “Gazeta Shqiptare” se vite më parë PD u akuzua si antievropiane dhe antiamerikane, por më vonë akuzat u shuan. Ndonëse kritik ndaj refuzimit të mbledhjes së kuvendit kombëtar të partisë, Genc Pollo i jep të drejtë Lulzim Bashës për çështjen e inceneratorëve dhe imlikimin e disa ish-pushtetarëve të PD-së teksa përmend se ky problem është ngritur mes deputetëve gjatë viteve 2015-2017.


Atëherë pse është e domosdoshme mbledhja e kongresit të partisë? Sapo e përfunduat një të tillë pa shumë debat me përjashtim të ndonjë rasti?

E kam quajtur dhe vazhdoj ta quaj të nevojshëm mbasi një status quo mbas 25 prillit në parti do të ishte fatale për Partinë Demokratike dhe demokracinë e Shqipërisë. Kjo status quo, mbas 25 prillit, u trondit paksa nga fushata për kryetarin. Por në fundore fatkeqësisht dominoi inercia. Tashti kemi një shans tjetër me lëvizjen e zotit Berisha. E cila synon e duhet të synojë një Parti Demokratike që sfidon realisht pushtetin.

Por a është e arsyeshme të thirret kaq shpesh kongresi apo kuvendi, siç e quani ju, i partisë?

Po! Kuvendi i Partisë Demokratike synon një parti fituese në sfidat e ardhshme. Përmes një drejtimi të ri. Të ri në të gjitha aspektet. Edhe për çështje të tjera.

Si, për shembull?

Edhe për të rishikuar statutin ku janë futur anomali. Për shembull në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar na u tha se kishim kompetencë vetë për të votëbesuar komisionin zgjedhor me në krye zotin Gjana. Kurse vendimin e zgjedhjeve për kryetarin e thirrjen e Kuvendit e mori kryesia, të cilën e zgjedh këshilli. Pra, këshillit, organit qendror që zgjedh kryesinë, i lihet një tagër rutinor; kryesisë i jepet një tagër thelbësor. Pra, një anomali kompetencash.

Ose numrat e ekzagjeruar të anëtarëve të forumeve. Për shembull këshillin me treqind e ca anëtarë nuk e nxë salla e mbledhjeve në Partinë Demokratike. Herën e fundit 1/3 e tyre rrinte në këmbë në fund të sallës. Duke shtuar anomalinë e mbledhjes.

Probleme të tilla ka plot, është përgjegjësia jonë që nuk u patëm kushtuar vëmendje.

Por a ka përkrahje nisma për mbledhjen e Kuvendit?

Sipas informacioneve nga baza e Partisë Demokratike afro 70% e delegatëve e përkrahin nismën. Në anëtarësinë e partisë kjo përkrahje është 10 deri 20 për qind më e lartë.

Në të vërtetë a po mblidhet një kuvend antiamerikan?

Faktorin ndërkombëtar secili përpiqet ta instrumentalizojë. Me tepri! Pak vjet më parë, kur kundërshtonim copëtimin e Kosovës, segmente politike në Prishtinë e në Tiranë na quanin antieuropianë e antiamerikanë. Ishte e pakëndshme përveçse e pandershme. Pastaj zoti Bolton në Shtëpinë e Bardhë u shkarkua; znj Mogherini në Bruksel u izolua (për Kosovën) dhe këto akuza u shuan. Orientimi euroatlantik nuk vihet në diskutim. Jo vetëm si aleancë politike me Europën e bashkuar e Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por edhe sidomos si përkushtim ndaj vlerave bazë si liria, shteti ligjor, demokracia e të drejtat themelore të njeriut.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...