Në Tiranë u mbajt Konferenca Ndërkombëtare me temë Mbrojtja e fëmijëve në mediet audiovizive”, organizuar nga Autoritet i Mediave Audiovizive.
Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi në fjalën e saj garantoi se AMA do të vijojë monitorimin e rregullt dhe të rreptë për zbatimin e dispozitave që rrjedhin nga Kodi i Transmetimit dhe forcimin e penaliteteve për OSHMA-të që shkelin dispozitat e këtij kodi për mbrojtjen e fëmijëve.
Kryetarja e AMA-s Krasniqi bëri të ditur se në bazë të strategjisë së AMA-s për vitin 2021-2023 do të rishikohet Kodi i Transmetimit.
“Rishikimi do kryhet nga AMA në konsultim të gjerë me të gjithë aktorët relevantë në këtë fushë. Unë edhe dje shfrytëzova mundësinë nga Konferenca e OSBE dhe po e përsëris edhe sot, apelin për sa më shumë kontribut dhe gjithëpërfshirje në rishikimin e këtij Kodi, pasi besoj se shumësia e ideve bën një Kod që i shërben dhe prek e mbulon shumë komponentë të kohës që jetojmë. Pranë AMA-s, prej muajit prill 2016, funksionon Këshilli i Ankesave. Që nga nisja e punës e deri më sot Këshilli i Ankesave ka shqyrtuar mbi 570 të tilla. 178 prej të cilave kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të fëmijëve”, – bëri të ditur znj. Krasniqi.
Në këtë konferencë morën pjesë gjithashtu Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro ,ekspertë nga Britania e Madhe, Belgjika, Gjermania si dhe profesorë e ekspertë të fushës nga vendi dhe rajoni.
Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro deklaroi se “e drejta për të shprehur lirshëm opinionet, sidomos ato të fëmijëve thekson edhe njëherë rëndësinë se sa e rëndësishme është të mbrojmë të drejtat e njeriut.
Duke përgëzuar AMA-n për organizimin e konferencës Ribeiro tha se “sapo kam përfunduar konferencën mediatike për Evropën Juglindore, e cila u mirëprit këtë vit në Tiran. Kjo konferencë për gazetarinë në këtë kohë krizash shërben për të shpjeguar se sa e rëndësishme është gazetaria për publikun dhe si një shtyllë kryesore e shoqërisë tonë demokratike, në këtë konferencë u dhanë mundësi shumë të rëndësishme për të folur për lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes në rajon”.
Në këtë konferencë referojnë ekspertë vendas dhe të rajonit të cilët po ndajnë eksperiencat e tyre në këtë fushë tejet të rëndësishme për shëndetin jo vetëm të fëmijëve por të shoqërisë. Kjo konference është si një vlerë e shtuar dhe një moment i mirë reflektimi për të gjithë aktorët e përfshirë, mediat, shoqërinë dhe komunitetin, mbi rolin e tyre në edukimin e të miturve.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












