Valentina ka ardhur në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare”, moderuar nga Ardit Gjebrea, për të kërkuar vajzën e saj të humbur prej 31 vitesh.
Ajo rrëfen se ka patur një lidhje prej dy vitesh e gjysmë me një djalë, nga ku ngeli shtatzënë, por ai kërkoi abortin e fëmijës dhe duke qënë se Valentina nuk pranoi, u zhduk. Ajo tregon se në kohën e diktaturës ekzistonte një rregull për të mbrojtur fëmijët që vinin nga lidhjet jashtëmartesore, i largonin nga familja dhe i çonin në një qytet tjetër. Kjo gjë ndodhi edhe me Valentinën, të cilën e çuan të lindte në Seman të Fierit në vitin 1983 e më pas për 6 muaj të qëndronte në befotrofin e Durrës, ku ra dakord që të linte vajzën, Naidën, e të shkonte ta takonte çdo muaj gjersa të merrte një shtëpi nga qeveria. Për tre vjet Valentina merrte vajzën nga befotrofi dhe qëndronte me të për 5 ditë në Tiranë.

Me bashkëshortin është njohur prej motrës së tij, e cila jetonte në Memaliaj, ku të gjithë e dinin që ajo kishte një vajzë. Pavarësisht kësaj ai u dashurua me Valentinën, formuan familje dhe e ka përkrahur gjithmonë për kërkimin e të bijës, ndërsa 3 vajzave u ka treguar kur ishin të vogla, të cilat presin me padurim që të gjendet motra e tyre e humbur. Valentina vuan nga kanceri në qafën e mitrës, sëmundje e cila është zhvilluar që prej lindjes së vajzës së humbur, Naidës.
“Për datëlindjen e saj blej torta dhe i shuaj qirinjtë me vajzat. 25 vjetorin e kemi bërë në lokal, vajzat kanë mbledhur shoqërinë, pa qenë vajza aty.”
Ajo gjithashtu në vitin 2017 e ka kërkuar një emision televiziv, nga ku u verifikua se Naida ishte birësuar kur ka qenë në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër dhe se jeton në Shqipëri.
“Jam shumë e lumtur që vajza ime është birësuar sepse kisha dëgjuar që fëmijët ishin shitur në kohën e demokracisë nëpër vendet e Europës. I jap një falënderim shumë të madh sa rruzulli tokësor atyre prindërve birësuar që më kanë rritur vajzën.”
Valentina kërkon vetëm ta shohë vajzën e saj që është mirë dhe se a i ngjan, ndaj Arditi i thotë se ngjasojnë shumë sepse e ka takuar, gjë që atë e emocionon shumë. Arditi tregon se e bija e saj është në dijeni, por nuk pranoi të ishte pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty”, pasi nuk dëshironte të lëndonte prindërit birësues dhe se po mendohet se çfarë do të bëjë sepse është një situatë shumë delikate. Valentina e kupton pozitën e vajzës së saj dhe shprehet se do të presë, mjafton që ta takojë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/














