Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me ftesë të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe të Presidentit të Shteteve të Bashkuara Meksikane mori pjesë në punimet e Platformës Globale 2017 për Reduktimin e Rrezikut të Kastrofave, që po zhvillohet në Kankun të Meksikës. Për herë të parë punimet e kësaj platforme zhvillohen jashtë ambienteve të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë dhe aktiviteti u ndoq nga një numër i konsiderueshëm drejtuesish shtetesh e qeverish, si dhe shkencëtarë, akademikë, përfaqësues të agjencive të ndryshme të emergjencave civile, e të tjerë. Në këtë aktivitet, Presidenti Nishani shoqërohej edhe nga Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, zonja Voltana Ademi, si kryetarja e një prej bashkive më të prekura nga katastrofat natyrore në Shqipëri.
Presidenti Nishani pas pjesëmarrjes në ceremoninë e hapjes së përshëndetur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara Meksikane, zoti Enrique Peña Nieto, si dhe Zëvendës Sekretarja e Përgjithshme e OKB-së, zonja Amina Mohamed, mbajti një fjalë në panelin e deklaratave zyrtare, ku që në fillim vlerësoi organizimin e kësaj Platforme jashtë Gjenevës dhe duke krijuar një shembull shumë pozitiv, që mund të ndiqet edhe nga vende të tjera në të ardhmen.

Në mënyrë të veçantë, Kreu i Shtetit, evidentoi faktin se Shqipëria renditet ndër një nga vendet me prekshmëri të lartë nga fatkeqësitë natyrore, si në nivel evropian ashtu edhe nivel botëror dhe për këtë arsye ajo është seriozisht e angazhuar në zbatimin e Agjendës 2030, për Zhvillim të Qëndrueshëm, krahas vendeve të tjera anëtare të Kombeve të Bashkuara. Gjithashtu, Presidenti Nishani, vlerësoi angazhimet e marra me Agjendën 2030 dhe Marrëveshjen e Parisit për Klimën, duke i konsideruar ato jo vetëm si mundësi për gjeneratën aktulale, por edhe për brezat e së ardhmes. “Zbatimi i këtyre dokumenteve ndërkombëtare, ku Shqipëria është pro-aktive, konsiderohen me të drejtë si strategjitë kryesore globale për përballimin e ndryshimeve klimaterike, arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm, ndihmën ndërkombëtare, por edhe për çështjet e sigurisë e të paqes në botë.” – u shpreh Kreu i Shtetit.


Presidenti Nishani e njohu zotin Glasser me angazhimet e marra nga Shqipëria si në nivel lokal ashtu edhe rajonal, si dhe bashkëpunimin me disa prej vendeve fqinje anëtare të BE-së për katastrofat natyrore, kryesisht nga përmbytjet apo zjarret në periudhën e verës. Duke iu referuar eksperiencave shqiptare të përballjes me katastrofat natyrore, Presidenti Nishani, evidentoi në takim dhe masat e marra si në ngritjen e strukturave përkatëse të emergjencave civile, por edhe për përmirësimin e kuadrit ligjor. Kreu i Shtetit shpehu mirënjohjen për bashkëpunimin me Zyrën e OKB-së për Reduktimin e Rrezikut të Fatkeqësive dhe kërkoi që ky bashkëpunim të shtrihet edhe më shumë në të ardhmen, si me autoritetet qendrore, ashtu edhe ato vendore.
Gjithashtu, Presidenti Nishani zhvilloi takime e biseda të shkurtra edhe me Presidentin e Meksikës, Nieto e zyrtarë të tjerë të lartë që morën pjesë në punimet e këtij aktiviteti.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












