Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi sot një vizitë në Tropojë ku gjatë një ceremonie të zhvilluar para Tyrbes në të cilën prehet përjetësisht kleriku atdhetar e bamirës, vlerësoi
Dervish Rexhep Bel Boshnjakun (pas vdekjes) me
Dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin:
“Në vlerësim e nderim të veprimtarisë së tij të çmuar atdhetare dhe për kontributin e tij të jashtëzakonshëm si klerik i shquar, bamirës dhe edukues përmes vlerave shpirtërore, duke ndihmuar me plot durim e përkushtim banorët e Tropojës e viseve të tjera shqiptare”.
Kreu i Shtetit ia dorëzoi titullin e lartë zotit Agim Ahmet Rexhepit (Boshnjaku), nipit të Dervish Rexhepit në prani të Kryetarit të Bashkisë së Bajram Currit Besnik Dushaj, Kryetarit të Shoqatës “Shkëlzeni dhe dritat e tij” Besfort Tafaj, deputetes së zonës, klerikëve, artistëve, studiuese si dhe qytetarëve të Tropojës e bashkëkombasve nga trojet shqiptare dhe diaspora.

“Jemi mbledhur sot në këtë nderim e përkujtim që është i veçantë në shumë aspekte: në dimensionin e besimit te Zoti, në besimin te vlerat hyjnore të njeriut, në besimin te vlerat e mëdha të patriotizmit dhe atdhedashurisë, në besimin e madh te një e nesërme më e mirë si kontribut i bekimit nga Zoti, i dashurisë për vendin dhe i angazhimit dhe mundit të njerëzve.” – u shpreh Presidenti Nishani duke vënë në dukje kënaqësinë e veçantë që gjendej në këtë vend të bekuar dhe midis këtyre njerëzve të mrekullueshëm e të nderuar.

“Është detyrimi dhe përgjegjësia jonë, së pari njerëzor që vlera kaq të mëdha, që trashëgimi kaq të shenjta e të vyera dhe kontribute kaq të rëndësishme e të pashlyera t’i njohim, t’i nderojmë e të mos harrojmë. Kemi detyrimin institucional e shtetëror që burra të tillë e vepra e tyre në shërbim të kombit, vendit e të njeriut t’i nderojmë. Kemi dhe detyrimin që është shoqëror e i të gjithë shqiptarëve kudo ku janë, që duke mos i harruar t’ua mësojnë të rinjve, fëmijëve dhe t’ua lëmë atyre porosinë që edhe ata e kanë detyrim që t’ua mësojnë fëmijëve, nipërve të tyre duke e trashëguar ashtu historinë tonë si ka qenë deri më sot, e lashtë, e sakrificës, por e madhërishme, me burra të mençur e me gra trime e me djem e vajza të mençura e të gatshme për sakrifica. Sot ne së bashku, por jam i bindur që edhe qindra e mijëra të tjerë që kanë dashur, por nuk kanë mundur të jenë këtu me ne, bien dakord dhe duhet t’i marrin përsipër këto përgjegjësi e këto detyra për të cilat jemi mbledhur.” – nënvizoi Presidenti i Republikës.

“Dervish Rexhep Bel Boshnjaku erdhi në këtë botë në fillim të shekullit të kaluar atëherë kur mbi atdheun e tij po niste të lindte dielli i pavarësisë shtetërore. Qysh në fëmijëri duket se zëri i Zotit e frymëzoi e i dha mesazhet në mendjen e tij për ta bërë një shërbëtor të fesë, por edhe të humanizmit dhe të njerëzve e të së mirës e një mësues të shpresës e të besimit. Pas asaj kohe Dervish Rexhepi s’do t’i përkiste më vetëm familjes, por mbarë shoqërisë, mbarë njerëzimit e rrugëtimit të tij fisnik drejt ndërgjegjjeve të besimtarëve. Me kalimin e viteve Dervish Rexhepi i Tropojës u bë një emblemë e krahinës së tij. Dhuntitë e tij u bënë të njohura jo vetëm në vendlindje, por edhe përtej kufijve. Për Malësinë e Gjakovës ai u shndërrua në një individ me aftësi mistike e krahas kësaj ai u mor edhe me ëndrrën që ishte me e vyra e të gjithëve: bashkimin e trojeve shqiptare. Dashuria e tij epike për Kosovën, këtë tokë të lënduar e të sakrifikuar ndër shekuj të shqiptarëve, ishte një endërr që i mungonte ajri i lirisë. Edhe kur krijoi familjen, ai nuk u nda kurrë nga origjina e vet. Ai u dallua edhe për një moral model në sjelljen e tij, duke u shquar si një at i virtytshëm e njeri i kujdesshëm. Ky biri i denjë i Zotit zhvilloi deri në fund një jetë tipike prej asketi, me privime nga kënaqësitë e shumta tokësore, por duke shijuar frytet e përkushtimit të palëkundur hyjnor. Që atëherë kur u ndesh me vështirësi të shumta të jetës, iu desh të përjetonte si të gjithë ne, por ndoshta ca më shumë, komunizmin, si një mallkim për këto troje, për këtë vend, për këtë komb, për të ardhmen e tij. Por ai qëndroi stoik e i palëkundur, sepse besonte te misioni i tij i shenjtë, te detyra e tij fisnike dhe besonte te vetja, sepse besonte te forca e Zotit.
Bëmat e tij fantastike rrëfehen me respekt dhe në ditët tona në vatrat tuaja e duket sikur dëshmojnë edhe një herë për pavdekësinë e ideve të besimit e të virtyteve të njerëzimit dhe forcës së palëkundur te Zoti. Dervish Rexhepi u nda nga jeta tokësore dhe nga populli që aq shumë e donte në një moment të vështirë kur një regjim i çmendur e i mallkuar mendonte se duke dënuar çdo klerik e duke shkatërruar çdo objekt kulti, do t’u hiqte njerëzve të thjeshtë, popullit nga shpirti e nga mendja besimin, por besimi lind e vdes me njeriun dhe besimin njeriut nuk ia jep njeriu. Atë ia jep Hyu dhe e forcon vetë njeriu. Tyrbeja ku punoi kishte disa vjet që kishte heshtur pas ndalimit të kobshëm të vitit 1967. Por, adhurimi për personalitetin e tij, për njeriun e thjeshtë, për forcën e Zotit nuk u zhduk asnjëherë as në Tropojë, as në malësinë e Gjakovës dhe kudo në trojet shqiptare. Ai si një vlerë e madhe ishte futur në çdo shtëpi malësori jo thjesht nga dera e madhe, por kishte depërtuar nga ajri i freskët e i pastër i maleve të kësaj zone, të bjeshkëve dhe jam plotësisht i bindur se pikërisht ky besim i madh e ky fllad që do të fryjë e do të depërtojë përjetësisht në shtëpitë e malësorëve të kësaj krahine. Ai është i sigurtë sepse buron e qëndron përjetësisht atje mes malesh, mes bjeshkëve dhe në kujdesin e Dervish Rexhep Belit”

Vazhdoni ta doni fort vendin e tokën tuaj, sepse është e mrekullueshme dhe e pasur dhe më të sigurtë e më të frymëzuar se sa te toka jonë nuk do të ndiheni gjëkundi! Ju sot këtu tregoni se besimi është brenda jush: besimi në Zot, por edhe te brezat e sotëm, edhe besimi te vlerat e familjes suaj e ato të të parëve tuaj si dhe besimi për dashurinë që keni për fëmijët tuaj. Prandaj të gjithë bashkë ta bëjmë më të fortë besimin, ta respektojmë më shumë atë e ta duam e ta vlerësojmë më shumë njëri-tjetrin dhe kurrë të mos e harrojmë të keqen që kemi kaluar. Por kurrë të mos na mposhtë e të mos na mbajë rob e keq që kemi kaluar, por të n ndricojë e ardhmja tek e cila besojmë. Në emër të shtetit e të qytetarëve shqiptarë, në emrin tuaj e familjeve tuaja, por edhe në kujtim të të parëve tuaj, që ndoshta nuk janë më midis jush, por ju ndjekin e ju mbështesin që në nderim të gjithë veprës së Dervish Rexhepit t’ia njohim edhe zyrtarisht atë të cilën ai e fitoi me punë, me përkushtim, me besimin e tij, Dekoratën dhe titullin e lartë ‘Nderi i Kombit’. I përjetshëm qoftë kujtimi i ‘Nderit të Kombit’!” – tha në përfundim të fjalës Kreu i Shtetit shqiptar. Më pas Presidenti Nishani dhe të pranishmit ndoqën një koncert të shkurtër artistik me këngë dhe valle tradicionale të trevës së Tropojës nga artistët e Ansamblit “Dardania”.

Titujt “Mjeshtër i Madh” figurat e spikatura tropojane, të cilët i japin nder e krenari jo vetëm kësaj treve dinjitoze e me kaq vlera e virtyte, por mbarë popullit shqiptar: valltarin dhe koreografin e mirënjohur
Deli Metaliaj, rapsodin e famshëm I
suf Gosturani, skulptorin
Isa Baliajn dhe inxhinierin
Sokol Meshi.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












