Kryetari i PD Lulzim Basha rikonfirmuar sot se protesta e nesërme e opozitës me bllokimin e transportit për 1 orë do të jetë e paqësore dhe pa dhunë.
Nga çadra e protestës, Basha paralajmëroi drejtuesit e policisë se do të jenë nën monitorim nëse tentojnë që të bllokojnë qytetarët të marrin pjesë në protestë.
“Kështu do të jetë dhe nesër. Protestë paqësore dhe madhështore. Drejtuesit e kupolës së shtetit do të vëzhgohen nga toka dhe nga ajri. E paprecedent keqpërdorimi politik që i bën policisë Edi Rama. Nuk mund të ketë zgjedhje të ndershme me një polici të nënshtruar.
Nesër bashkohemi midis orës 11:00 dhe 12:00. Të gjithë bashkë. Artistë, sportistë, gazetarë, të rinj e të reja do të jenë aty me ne”, u shpreh Lulzim Basha.
Basha deklaroi se dhuna është tipar i dobësisë morale.
“Prej 65 ditësh, duke nisur nga bashkimi ynë i jashtëzakonshëm, më i madhi në 27 vite, më 18 shkurt, ne kemi protestuar paqësisht, duke i treguar Shqipërisë dhe mbarë Evropës fytyrën e vërtetë evropiane të shoqërisë shqiptare. Asnjë veprim nuk e ka cenuar vendosmërinë tonë protestë paqësore, asnjë provokim i ulët i kastës së Republikës së vjetër nuk na ka lëkundur nga qëndrimi ynë, kështu do të jetë edhe nesër, protestë madhështore, paqësore, por e vendosur dhe e pa thyeshme në shërbim të Republikës së re.
E dinë fare mirë shqiptarët dhe dinë ta bëjnë krahasimin mes atyre që jo shumë vite më parë, tek bllokonin rrugët kombëtare digjnin gomat e makinave, digjnin makinat dhe thyenin e shkatërronin institucionet me gurë, me shishe me benzinë. E mbaj mend fare mirë se çfarë dhune ushtrohet në protestat e tyre. Dhunë në protestat e opozitës së bashkuar dhe qytetarëve të Republikës së re nuk ka dhe nuk ka për të pasur. Dhuna është tipar i dobësisë morale, tipari i dalluar i frikacakëve. Këtu jemi njerëz të kurajës qytetare, frikacakët fshihen pas fasadës”.
Basha deklaroi gjithashtu se ata burra dhe gra në Policinë e Shtetit do të gjejnë tek protestuesit e opozitës forcën pozitive dhe paqësore që lufton edhe për të drejtat e tyre.
“Policia e Shtetit, burrat dhe gratë me uniformë, të cilët ndajnë të njëjtat halle me qytetarët shqiptarë dhe që keqpërdoren në mënyrën më të mjerë, më kriminale nga ky pushtet, duhet ta dinë se nga qytetarët e bashkuar nesër në bllokimin total të transportit kombëtar mes orës 11 dhe 12, do të gjejnë forcën pozitive dhe paqësore që lufton edhe për të drejtat e tyre, të atyre që intimidohen për të dhënë të dhënat e tyre personale dhe familjare në funksion të fushatës së Republikës së vjetër dhe çetës së krimit që përfaqëson. Të atyre që shohin teksa kolegët e tyre në shërbim të ndërmarrjeve kriminale, grada e ulët arrestohet, komandantët nuk i prek ligji, se komandantët e kupolës kriminale në polici janë vetë karriget dhe këmbët e karrigeve të pushtetit të inkriminuar të Edi Ramës”, u shpreh Basha.
Kryetari i opozitës sulmoi sërish Top-Channel për lajme të rreme në lidhje me deklaratën e policisë se nuk i ka dhënë leje opozitës për të protestuar.
“E kemi Top-Channel këtu? Cila është kamera e Top-Channel? Po dy herë në ditë fake news. E bëre baltë fare. Nuk jep leje policia për grumbullime paqësore. Ligji kërkon vetëm të njoftohet. Njoftohet dhe është njoftuar. Ndaj hiqe si fake news, po ta falim dhe po ta konsiderojmë injorancë”, deklaroi kreu i PD, Lulzim Basha.
Mesazhi i plotë i Lulzim Bashës pasditen e 65 të protestës për zgjedhje të lira e të ndershme
– Dhunë në protestat e opozitës së bashkuar dhe qytetarëve të Republikës së Re nuk ka e nuk ka për të pasur! Dhuna është tipar i dobësisë morale, dhuna është tipari dallues i frikacakëve qe fshihen pas fasadës. Burrat dhe gratë me uniformë, të cilët ndajnë të njëjtat halle me shqiptarët, dhe që keqpërdoren në mënyrën më të mjerë, më kriminale, nga ky pushtet, duhet ta dinë se qytetarët e bashkuar nesër në bllokimin total të transportit kombëtar mes orës 11:00 dhe 12:00, protestojnë dhe për të drejtat e tyre
– Dua ti kujtoj drejtueseve të kupolës së policisë së shtetit, që përmes shkresave të tyre të turpshme dhe qëndrimeve të tyre publike, që sot kanë thyer ligjin. Do të vëzhgohen dhe regjistrohen nga toka dhe nga ajri, dhe se për çdo shkelje dhe cenim të të drejtës hyjnore për protestë paqësore, do të përballen me forcën e plotë të ligjit. Neni 261 i Kodit Penal, sanksionon dënime penale për ata që pengojnë mbledhjen dhe manifestimin paqësor politik të qytetarëve të republikës

Planet ogurzeza të republikës së vjetër për të shkatërruar zgjedhjet e shqiptarëve, për të shkatërruar vullnetin e lirë të shqiptarëve, për të parandaluar agimin dhe ardhjen e Republikës së Re, do të dështojnë me sukses të plotë.
Aspiratën qytetare popullore dhe kombëtare për zgjedhje të lira e të ndershme, e përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, themelimin e një Republike të Re, ku zoti i fateve është qytetari dhe shërbëtor qeveritari, nuk ka forcë ta ndalë.
Prej 65 ditësh, duke nisur nga bashkimi ynë i jashtëzakonshëm më i madhi në 27 vite, me 18 Shkurt, ne kemi protestuar denjësisht, paqësisht, duke i treguar Shqipërisë dhe mbarë Europës fytyrën e vërtetë europiane të shoqërisë shqiptare. Asnjë veprim nuk e ka cenuar vendosmërinë tonë për protestë paqësore, asnjë provokim i ulët i kastës së republikës së vjetër, nuk na ka lëkundur nga qëndrimi ynë. Kështu do të jetë edhe nesër, protestë madhështore, paqësore por e vendosur dhe e pathyeshme në shërbim të çdo shqiptari e çdo shqiptareje, në shërbim të Republikës së Re.
E dinë fare mirë shqiptarët dhe dinë ta bëjnë krahasimin me ata që jo shumë vite më pare, tek bllokonin rrugët kombëtare, digjnin gomat e makinave, digjnin makinat dhe thyenin e shkatërronin institucionet me gurë, me shishe me benzinë, e mbajmë mend fare mirë se çfarë lloj dhune ushtrohej në protestat e tyre.
Dhunë në protestat e opozitës së bashkuar dhe qytetarëve të Republikës së Re nuk ka e nuk ka për të pasur! Dhuna është tipar i dobësisë morale, dhuna është tipari dallues i frikacakëve dhe këtu jemi të gjithë njerëz të kurajos qytetare, frikacakët fshihen pas fasadës.
Policia e shtetit, burrat dhe gratë me uniformë, të cilët ndajnë të njëjtat halle me qytetarët shqiptarë dhe që keqpërdoren në mënyrën më të mjerë, më kriminale, nga ky pushtet, duhet ta dinë se nga qytetarët e bashkuar nesër në bllokimin total të transportit kombëtar mes orës 11:00 dhe 12:00, do të gjejnë forcën pozitive dhe paqësore që lufton edhe për të drejtat e tyre, të atyre që nëpërkëmben, të atyre që keqtrajtohen, të atyre që intimidohen për të dhënë, të dhënat e tyre personale, dhe të familjarëve të tyre, në funksion të fushatës së republikës së vjetër dhe çetës së krimit që kryeson.
Të atyre që shohin teksa, kolegët e tyre në shërbim të ndërmarrjeve kriminale, grada e ulët arrestohet ndërsa komandantët nuk i prek ligji, se komandantët e kupolës kriminale në polici janë vetë karriket dhe këmbët e karrigeve të pushtetit të inkriminuar të Edi Ramës.
Por, dua ti kujtoj fare mirë drejtueseve të kupolës së policisë së shtetit, që përmes shkresave të tyre të turpshme dhe qëndrimeve të tyre publike, që sot, kanë thyer ligjin, dua ti kujtoj se do të vëzhgohen dhe regjistrohen nga toka dhe nga ajri, dhe se për çdo shkelje dhe cenim të të drejtës hyjnore për protestë paqësore, do të përballen me forcën e plotë të ligjit.
Neni 261 i Kodit Penal, sanksionon dënime penale për ata që pengojnë mbledhjen dhe manifestimin paqësor politik të qytetarëve të republikës.
E kemi Top Channel këtu? Ku është kamera e Top Channel? Cila është? Top Channel, dy herë në ditë fake news, e bëre baltë fare!
Nuk jep leje, nuk jep leje policia për grumbullimet paqësore të qytetarëve shqiptarë, tash një dekadë.
Ligji kërkon që policia vetëm të njoftohet, policia nuk jep leje, njoftohet dhe është njoftuar, ndaj hiqe fake news, le të ta falim meqë është darka e të dielës, po ta konsiderojmë injorancë dhe jo shërbim ndaj Edi Ramës dhe çetës së tij kriminale në pushtet.
I pa precedent, keqpërdorimi politik që i bën policisë Edi Rama, por do të marrë fund së shpejti. Ky është një argument më shumë dhe më i qartë se pse nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme me një polici të nënshtruar e të bërë zap politikisht nga një çetë pushtetarësh të bërë zap nga krimi dhe nga droga.
Vëllezër dhe motra, qytetare dhe qytetarë të Republikës së Re që po lind në zemrat tuaja, në shtëpitë tuaja, në këtë agorë të lirisë dhe në çdo qytet të vendit tonë, nesër bashkohemi midis orës 11:00 dhe 12:00 të gjithë bashkë.
Të rinj e të reja, artistë, sportistë, gazetarë, do të jenë aty me ne, punëdhënës e punëmarrës do të jenë aty me ne, studente dhe studentë do të jenë aty me ne, të pa punë e të shpunësuar, biznese të vogla që janë mbyllur e që mezi rrinë hapur, do të jenë aty me ne, demokratë e socialistë do të jenë nesër me ne për të treguar vendosmërinë tonë në kauzën kombëtare për zgjedhje të lira e të ndershme.
Ejani pa frikë dhe paqësisht, por vendosmërisht.
Një orë sakrificë kombëtare, për një pafundësi të mirash në Republikën e Re që po vjen, për dinjitetin tuaj, për lirinë dhe të drejtat tuaja themelore, për mirëqenien dhe punësimin tuaj, për një të nesërme të sigurt dhe një ekonomi të fortë për çdo shqiptar, nesër mes orës 11:00 dhe 12:00 bashkohemi dhe ngrihemi së bashku!
E nesërmja vjen si një ditë e re në aksionin e Republikës së Re, me vendosmëri totale, me masivitet popullor, me paqe në zemrat tona.
Asnjë lule nuk do të dëmtohet, asnjë gotë nuk do të thyhet. Trafiku do të bllokohet për 1 orë, por trafiku i drogës, trafiku i krimit, trafiku i votave, trafiku i parave të pista të korruspionit do të marrin fund njëherë e mirë.
Nesër në orën 11.00, anembanë Shqipërisë, në rrethrrotullimin e Shqiponjës, në kryqëzimin e teknologjikut, 2 pika në Tiranë. Rrethrrotullimin e Plugut, dhe gjithë Jugu do të mblidhet aty. Rrethrrotullimin e Rrugës së Kombit me nacionalen Shkodër-Tiranë, rrethrrotullimin e Milotit, dhe gjithë Veriu do të jetë aty. Në rrethrrotullimin e Bradasheshit, Korça, Elbasani dhe gjithë Juglindja e gjitha do jetë aty.
Një orë bashkim për vite të tëra Shqipërie të lirë dhe demokratike për veten dhe fëmijët tuaj. Ngrihemi së bashku. Bashkohemi paqësisht nesër në orën 11.00. Zoti e bekoftë Shqipërinë. Zoti i bekoftë shqiptarët.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












