Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi sot një vizitë pune në qytetin e Beratit me rastin e 18 prillit, ‘Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve”. Fillimisht Kreu i Shtetit u ndal në Bashkinë e qytetit ku u prit nga Kryetari i Bashkisë Petrit Sinaj, nënkryetarët dhe drejtuesit e drejtorisë rajonale të kulturës dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor, me të cilët u zhvillua një takim i shkurtër. Gjatë këtij takimi të punës, pasi u informua nga Kryetari i Bashkisë me një paraqitje të shkurtër të ecurisë së punës dhe objektivave, Presidenti Nishani duke folur për historinë dhe trashëgiminë e jashtëzakonshme të Beratit, vuri në dukje se ky qytet ka fatin të zotërojë pasurinë njerëzore, kulturore dhe atë natyrore. “Monumentet nuk janë thjesht pasuri dhe trashëgimi kulturore e shpirtërore, por edhe turistike, prandaj ato duhet të ingranohen në zhvillimin e turizmit.” – u shpreh Kreu i Shtetit.

Në fjalën e Tij përshëndetëse, Kreu i Shtetit theksoi se historia, tradita, monumentet dhe vlerat e vyera të trashëguara brez pas brezi në Berat nuk na përkasin vetëm ne, por mbarë njerëzimit, prandaj edhe UNESCO e ka përfshirë këtë qytetet në listën e vet.

Pasi foli për historinë e vështirë të popullit dhe vendit tonë, Presidenti u shpreh se ajo nuk duhet harruar, por në ditët e sotme duhet të prezantohemi vetë para syve të botës. “Në qoftë se në realitetin aktual të epokës së globalizmit total, Shqipëria prezantohet tashmë me një fytyrë të saj origjinale e virtuoze kjo padyshim i dedikohet edhe asaj pasurie shpirtërore dhe materiale të paçmuar shumëshekullore të transmetuar brez pas brezi. Ky qytet-muze, ku ju jetoni dhe e zotëroni, është dëshmia më e pakundërshtueshme e gjenialitetit të këtij populli. Të reflektojmë mbi historinë në Berat, që ka konceptin e monumentalizmit kulturor si një medalje me dy faqe. Në njërën anë ka objektet monumentale, ndërsa nga ana tjetër përmban monumentet njerëzore dhe kjo gjë më duket bazamenti më i mirë e i vlefshëm kulturor, civilizues dhe emancipues.”


Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Monumenteve, me përulje dhe respekt, Presidenti Nishani u shpreh edhe për të gjithë ato figura të shquara dhe personalitete beratase, të cilët kanë kontribuar e punuar për evidentimin e këtyre vlerave dhe pasurive e trashëgimisë kulturore, edhe përtej kufijve të vendit tonë.

Jusuf Vrionin (pas vdekjes) me
Dekoratën “Nderi i Kombit”:
“Si përkthyes i shkëlqyer i letërsisë shqipe në përgjithësi dhe veprës së Ismail Kadaresë në veçanti, në një prej gjuhëve më të rëndësishme të qytetërimit botëror, atë frënge, duke mundësuar njohjen ndërkombëtare të letërsisë shqiptare, si një nga intelektualët me formim të konsoliduar perëndimor, që vuajti më shumë se një dekadë ferrin e burgjeve komuniste, si dhe për kontributin e dhënë në diplomacinë kulturore, duke përfaqësuar Shqipërinë në UNESCO”; me Titullin “Mjeshtër i Madh” piktorin Hasan Nallbanin; Parashqevi Sahatçinë; muzeologun Myslim Hotovën ndërsa me Dekoratën “Naim Frashëri” arkeologun dhe pedagogun Lorenc Bejkon dhe Adelina Theodhorin me Dekoratën “Për Merita të Veçanta Civile”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












