Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim të veçantë Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës se Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Presidenti Nishani përshëndeti vizitën e zotit Hoxhaj dhe theksoi se marrëdhëniet vëllazërore dhe shumë të veçanta mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet të forcohen e zgjerohen në të gjitha fushat e bashkëpunimit, pasi ato janë thelbësore për të ardhmen e kombit shqiptar, por edhe për stabilitetin dhe përparimin e rajonit.
Kreu i Shtetit vlerësoi dhe përshëndeti të gjitha arritjet e deritanishme të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj për ndërtimin e shtetit të pavarur dhe funksional të Kosovës, si dhe kontributin e rëndësishëm të dhënë në funksion të paqes, sigurisë dhe zhvillimit të rajonit.

Kreu i Shtetit e siguroi gjithashtu Ministrin Hoxhaj se Shqipëria dhe të gjitha institucionet e saj, bazuar në frymën dhe vizionin euroatlantik, do të jetë gjithnjë në krah të Kosovës në rrugën e saj të zhvillimit dhe do ta mbështesë pa asnjë rezervë në ruajtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit shtetëror.
Presidenti Nishani theksoi rëndësinë që në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive të diskutohet dhe të bëhen hapa konkretë për të ndihmuar në aspektin social, ekonomik, kulturor dhe arsimor shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre në Medvegjë, Bujanovc dhe Preshevë, duke marrë si shembull praktikat më të mira evropiane në këtë drejtim.

Presidenti Nishani theksoi se, kriza në Maqedoni është një krizë politike dhe jo ndëretnike. Stabiliteti i Maqedonisë, respektimi i marrëveshjes së Ohrit, si dhe rruga e saj drejt integrimeve euro-atlantike është në interes të shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre në Maqedoni, por edhe për të gjithë rajonin dhe më gjerë.
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Enver Hoxhaj e falënderoi Presidentin Nishani për pritjen e ngrohtë dhe vëllazërore, duke theksuar se Kosova dhe institucionet e saj do të jenë gjithmonë mirënjohëse për mbështetjen personale dhe institucionale që Presidenti Nishani ka dhënë për njohjen ndërkombëtare, si dhe ndihmën në rrugën e integrimeve euro-atlantike të Kosovës.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












