Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, në kuadrin e pjesëmarrjes në edicionin e pestë të Forumit Global të Baku-së, zhvilloi sot një vizitë edhe në Universitetin shtetëror Filologjik të Azerbajxhanit, ku nga rektori në detyrë i këtij Universiteti, zoti Afgan Ali Abdullayev, iu akordua, në një ceremoni të veçantë, Titulli “Doktor Nderi”, titull i cili i është akorduar një sërë personaliteteve evropiane dhe botërore nga ky universitet dhe i pari që i akordohet një Presidenti shqiptar.
Presidenti Nishani falenderoi trupën drejtuese dhe akademike të Universitetit për titullin e akorduar, si dhe përshëndeti studentët e shumtë, azerë dhe të huaj, të pranishëm në këtë ceremoni.

Kreu i Shtetit shprehu gjithashtu kënaqësinë dhe vlerësimin për marrëdhëniet shumë të mira e intensive mes dy vendeve, veçanërisht në dy vitet e fundit, si dhe theksoi se më shumë duhet bërë edhe në rritjen e shkëmbimeve kulturore dhe arsimore.
“Do të ishte ideale që dy vendet të rrisnin me sa mundësi kanë shkëmbimin e studentëve dhe të eksperiencave të vlefshme akademike” – u shpreh Presidenti Nishani.

Në mbyllje të vizitës në Universitet, Presidenti Nishani, iu përgjigj dhe interesit të mediave vendase, të cilat gjithashtu u interesuan mbi nivelin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe të ardhmen e këtij bashkëpunimi..
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












