Pasi Ben Blushi e shpalli si njeriun që realisht shkarkoi Saimir Tahirin nga Ministër i Brendshëm, reagoi për herë të parë Ilir Meta.
Në përgjigjen që i dha Blushit nga foltorja e Kuvendit, Meta shmangu emrin e Saimir Tahirit. Kreu i LSI tha se ndërhyrja e vetme e tij ishte kur u krijua qeveria. Atëherë ai kishte propozuar Ben Blushin si ministër, duke lënë të kuptohet se Rama nuk kishte pranuar.
“Meqenëse dëgjuam një fjalim historik, unë u përmenda më shumë se të gjithë politikanët e vjetër nga një politikan i ri, i sapoardhur nga ndonjë planet tjetër, dua t’ju them të gjithë ministrave, kandidatëve për ministra, sot, nesër, përgjithmonë që e vetmja ndërhyrje që kam tentuar të bëj tek zoti Rama, që kur u bë qeveria, ishte që parafolësi të bëhej ministër. Por ndoshta mirë është bërë që nuk është bërë ministër, se Shqipëria ka një alternativë të re, ka një shpresë të madhe. Një njeri i paprovuar asnjëherë, apo jo? Ka të drejtë të shkojë të votohet dhe të besohet. Zoti Ndocaj? Doni zoti Blushi? Jo? Faleminderit!” u shpreh Meta, që në fund pyeti Ben Blushin nëse donte të replikonte.
Kjo është hera e parë që Meta reagon për shkarkimin e Saimir Tahirit, të cilin nuk e përmendi fare.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












