Shqipëria e ka të ndaluar me ligj tranzitimin e mbetjeve të rrezikshme. Kjo është përgjigja që jep Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, për shqetësimin e ngritur nga mediat e huaja se në Shqipëri janë zhdukur 1300 kontenierë me mbetje të rrezikshme që kishin destinacion Maqedoninë. Po ashtu Koka prezantoi edhe databasin që do të japë një pasqyrë të qartë të sistuatës së mbetjeve në vend dhe të fondeve që i duhen Bashkive.
Fondet për menaxhimin e mbetjeve në të ardhmen do të jenë të përcaktuara saktë.
Këtë do ta mundësojë regjistri on-line, i cili u vu në funksion sot në praninë e Ministrit të Mjedisit, Lefter Koka.
Database i krijuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit do të sjellë një panoramë të qartë për situatën e mbetjeve në çdo qark, pushteti vendor duhet të raportojë në mënyrë periodike te AKM të dhëna për mbetjet e gjeneruara.
“Në mënyrë të padiskutueshme është nevojë për të qenë transparent me qytetarët sepse na rezulton që në shumë qytete kjo shifër qoftë dhe në mënyrë të qëllimshme nuk bëhen transparente. Ka kryetarë që këtë 100 apo 150 tonsh e bëjnë 200 apo 250 dhe kjo na bën të jemi dyshues që këta njerëz kërkojnë në mënyrë të qëllimshme mos bëjnë shifrat transparente”, shprehet Koka.
Ministri Koka u ndal dhe te dëmi që mjedisi i ndotur i sjell turizmit, ndërsa tha ka ardhur koha ti japim fund turizmit patriotik.
“Turizmi nuk ka më turizëm patriotik. Vetëm një Shqipëri është shpikur kjo. Çdo kush që ka kaluar një vit të lodhshëm kërkon të pushojë, qoftë patriot apo jo. Nëse ne Shqipërinë do ta konsiderojmë një vend turistik për patriot nuk kemi një turizëm elitar” shton ministri.
Pas ngritjes së shqetësimit nga mediat italiane se 1300 kontenierë me mbetje të rrezikshme janë zhdukur në Shqipëri, Ministri tha se importi dhe tranzitimi i mbetjeve të rrezikshme në vendin tonë është i ndaluar me ligj ndërsa ka dijeni vetëm për 10 kamionë me goma të përdorura që janë futur në Shqipëri.
“Edhe në ligjin e 2011 në Shqipëri është e ndaluar me ligj tranzitimi i mbetjeve të rrezikshme. Është një sasi prej 10 ngarkesash, 10 kamionë të tranzituara në drejtim të Kosovës me goma të përdorura.
Të dhënat e mbetjeve pasqyrohen në raportin e gjendjes së mjedisit dhe i raportohen Ministrisë, ndërsa më vonë në të do të kenë akses edhe qytetarët”, përfundon ministri i Mjedisit Lefetr Koka.

/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/












